Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca, në një konferencë për media ka folur për largimin e grupit parlamentar të Listës Serbe, ku sot kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet e tyre të deputetëve.
Në fjalën e tij, Konjufca ka thënë se vendi nuk është në krizë kushtetuese, por që do të përcillen hapat ligjor.
Megjithatë, në një moment kur deputetët nga Lista Serbe do të refuzonin të zëvendësonin këta që janë larguar, atëherë do të duhej të ishte Komisioni Qendror Zgjedhor që të tregojë se si procedohet tutje.
“Unë mendoj se me këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rendit kushtetues të Kosovës. Kuantitativisht na ka ndodhë largim më i madh se ky, sepse këso dorëheqje nuk kemi pasur kurrë, por në aspektin ligjor është e njëjta procedurë siç ndodhë edhe me deputetë tjerë”, sqaroi kryetari i Kuvendit.
“Në këtë rast ne kemi një grup parlamentar, është rast specifik që largohet një grup parlamentar. Edhe për këtë rast janë të qarta procedurat ligjore, nuk rrezikohet Kuvendi e as nuk mund ta sfidojnë”, pohoi ai në konferencë për media.
“Por, nëse ky ka qenë, atëherë i garantojë qytetarët që nuk preket rendi kushtetues”.
Konjufca ka treguar edhe çfarë do të ndodhë tutje dhe si zëvendësohen deputetët.
“Unë do t’i drejtohem presidentes, presidentja KQZ-së dhe më pas KQZ, me aq sa di unë, është që do t’ia jap mandatin atyre që janë në pritje në grupin e njëjtë parlamentar, e nëse ata refuzojnë të përgjigjen pastaj ka procedura të tjera që duhet të na sqarojë KQZ-ja”.
Por, Konjufca ka përsëritur, “në kuvend përkohësisht do të jenë 110 deputetë, kjo nuk përbën asgjë anti-kushtetuese. Këto parashihen dhe sqarohen, për zëvendësimin e tyre, nuk jemi në krizë kushtetues, por jemi në procedura normale të zëvendësimit të tyre”.