Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se raportet e kryeministrit Albin Kurti, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë lënduar, por sipas tij, nuk janë acaruar sa për të mos u takuar.
Ai tha para mediave të enjten se Kurti do ta takojë “së shpejti” Ramën, pasi sipas tij, kjo duhet të shihet nga pikëvështrimi i interesit mes dy vendeve.
“Kjo do të rregullohet se shpejti, ata do të takohen së shpejti”, tha ai.
“Kosova gjithmonë ka bërë hapa gjigantë në kauzën e vet, në çdo kohë, për sa kohë që Republika e Shqipërisë i ka qëndruar prapa. Mua më kujtohen vetëm 2-3 momente nga vitet e 90-ta, edhe gjatë kohës së presidentit Rugova, ku Shqipëria i ka dalë kundër Kosovës. Ato kanë qenë raste shumë të rralla”, deklaroi Konjufca.
Kryetari i Kuvendit i përmendi “krizat” që sipas tij, Kosova i ka pasur me Shqipërinë
“Vetëm një moment ose 2 kanë qenë momente krizash, kur kryeministri shqiptar i ka dalë kundër presidentit ose ministrave… ne patëm një krizë në 2017-n, kur u duk se sikur për Kosovën, edhe Republika e Shqipërisë po është në anën e shkëmbimit territorial. Mendoj se kjo e dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar edhe ideja e ‘Ballkanit të Hapur’”.
“Sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova. E tash e treta është kjo që po e dëmton Republikën e Kosovës, kur ne jemi në të drejtën tonë dhe ku nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë. Prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova mundet vetëm të dëmtohet”.