Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Runik të Skenderajt, ku një person ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është ankuar se djali ka ushtruar dhunë ndaj tij.
Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar kështu lëndime trupore, e më pas ka demoluar edhe shtëpinë.
Si pasojë e kësaj, viktima ka marrë edhe tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.