Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë këto raste kanë përfunduar në Polici.
Mosmarrëveshjet për prona, paratë e arsye të ndryshme janë motivet që i shtyjnë baballarët, vëllezërit e motrat që të përshihen në përleshje të ndryshme.
Një incident i tillë ka ndodhur edhe dje, në një familje në Prishtinë dhe këtë herë janë të përfshirë dy vëllezër.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit fillimisht kanë pasur një konflikt verbal, që ka eskaluar në dhunë fizike, ku njëri prej tyre e ka sulmuar tjetrin, duke i shkaktuar lëndime. Ky i fundit, në shenjë revolte, i ka shkaktuar dëme veturës së vëllait dhe për pasojë të dy janë futur në sherr.
Nëna e tyre është detyruar ta denoncojë incidentin në Polici, me ç’rast dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe kanë rrëfyer në detaje se si ndodhi rasti në shtëpinë e tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale “Dhunë në familje” dhe “Dëmtim prone”.