Konfiskohen mbi 35 kilogramë lëndë narkotike në Gjakovë, arrestohet një person

(Foto ilustrim)

Një person është arrestuar mbrëmë në Gjakovë, ndërsa janë konfiskuar 35 kilogramë lëndë narkotike (marihuanë).

Policia ka informuar se në shtëpinë e të dyshuarit J.B., (viti i lindjes 1974, mashkull kosovar), ka gjetur e konfiskuar 32 paketime me lëndë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), me peshë 35 kg e 581 gr., një peshore digjitale, një telefon, një veturë e dëshmi tjera relevante për rastin.

Ndaj të arrestuarit është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia e Gjakovës, ka zhvilluar një hetim rreth tre-mujorë (operacioni i koduar ‘Mali’), ndaj një të dyshuari për përfshirje në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. Më 30.06.2023, në orët e mbrëmjes, policia ka realizuar një plan taktik, ku njësive të anti-drogës u kanë ofruar mbështetje edhe njësi tjera policore të Gjakovës.

Operacioni policor është zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë, nga të cilat edhe është pranuar urdhri për kontroll në një lokacion në një fshat të Gjakovës. Gjatë kontrollit, në shtëpinë e të dyshuarit J.B., (viti i lindjes 1974, mashkull kosovar), policia ka gjetur e konfiskuar 32 paketime me lëndë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), me peshë 35 kg e 581 gr., një peshore digjitale, një telefon, një veturë e dëshmi tjera relevante për rastin.”, është bërë e ditur nga Policia.

Me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.