Përfaqësuesit ligjor të markës prestigjioze zvicerane ‘Richard Mille’ në Kosovë, kanë konfirmuar se ora e ndaluar nga Dogana e Kosovës, e cila i përkiste rep-artistit Mozzik, është false.
Përmes një komunikate për media, Shoqëria e Avokatëve “Vokshi&Lata” ka konfirmuar se sipas verifikimit zyrtar të kryer nga kompania Richard Mille, ora e Mozzik ka dalë të jetë e falsifikuar.
“Ora e ndaluar në Doganën e Kosovës nuk është origjinale Richard Mille. Si përfaqësues ligjor të markës prestigjioze zvicerane Richard Mille, konfirmojmë se ora e sekuestruar së fundmi nga Dogana është një falsifikat, sipas verifikimit zyrtar të kryer nga kompania Richard Mille. Rezultati është komunikuar tashmë zyrtarisht me Doganën e Kosovës dhe procedurat ligjore do të vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Mozzik ishte ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi që iu gjetën dy ora luksoze.
Dogana e Kosovës menjëherë pas rastit, kishte lëshuar një deklaratë ku e sqaronte rastin.
Në njoftim u tha se janë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze, të cilat nuk ishin deklaruar nga një udhëtar gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Bëhet fjalë për një Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro.
Sipas njoftimit, “duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar.”