Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë publike disa prej provave të cilat po tenton t’i shfrytëzojë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Këto dëshmi përfshijnë komunikatat e lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, deklaratat politike dhe publike të UÇK-së, arkivat e “Radios Kosova e Lirë”, “Kosovapress” dhe artikuj të mediave të tjera.
Në një parashtrim të deponuar në adresën e trupit gjykues, Prokuroria ka kërkuar që këto tabela me dëshmi të pranohen si prova. Në dokumentet e Prokurorisë të cilat i ka parë gazeta Nacionale, Prokuroria pretendon se këto prova dëshmojnë strukturën organizative të UÇK-së si dhe sipas tyre, dëshmojnë krimet për të cilat akuzohen krerët e UÇK-së.
“Dokumentet e listuara në Anekset 1-5 janë komunikime të UÇK-së nga periudha e aktakuzës. Ato demonstrojnë kontrollin shumë sistematik dhe të organizuar që ushtronte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mbi komunikimet publike. Shtojca 1 tregon se të njëjtat deklarata publike dhe komunikime të UÇK-së u shfaqën në publikime të shumta, duke përforcuar pozicionin e UÇK-së. Aneksi 2 tregon përfshirjen e Jakup KRASNIQIT në krijimin e mesazheve që u shpërndanë nga Shtabi i Përgjithshëm në publik. Anekset 3 dhe 4 demonstrojnë se si UÇK-ja përdori me sukses dy agjencitë e saj mediatike për të zgjeruar dhe çuar më tej agjendën e saj politike duke informuar opinionin publik. Shtojca 5 vazhdon këtë temë dhe demonstron shpërndarjen e komunikimeve të UÇK-së në një audiencë më të gjerë ndërkombëtare”, thuhet në këtë parashtrim të Prokurorisë së Specializuar.
Disa prej këtyre provave që Prokuroria po kërkon të përdoren në proces janë publike, si p.sh raportimet e mediave ndërkombëtare si dhe raportimet e Evropës së Lirë dhe Kosovapress në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kurse, konfidenciale kanë mbetur komunikatat e UÇK-së dhe dokumentet e sekuestruara në shtëpinë e Jakup Krasniqit.
Prokuroria në Hagë po tenton të bazohet në komunikatat që ishin lëshuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo është hera e parë që Prokuroria publikisht flet për provat mbi të cilat tenton të mbështetet.
“Aneksi 1 përmban një përmbledhje të deklaratave publike të UÇK-së, duke përfshirë komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm, deklaratat politike dhe njoftimet tjera zyrtare. Të lëshuara nga udhëheqësit e lartë të UÇK-së, këto materiale janë shumë të rëndësishme dhe dëshmuese për krimet e ngarkuara në Aktakuzë, që kanë të bëjnë me rolet e të akuzuarve, aftësitë e tyre dhe qëllimin e përbashkët. Artikujt e propozuar ofrojnë gjithashtu prova, ndër të tjera, për ekzistencën e një konflikti të armatosur, komandën dhe kontrollin e Shtabit të Përgjithshëm dhe politikën e shënjestrimin e të ashtuquajturve bashkëpunëtorë dhe kundërshtarë të tjerë të perceptuar”, thuhet në këtë parashtrim që e ka parë gazeta Nacionale.
Dokumentet e sekuestruara te Jakup Krasniqi
Në ditën kur ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ishte arrestuar, Prokuroria kishte sekuestruar edhe një sasi dokumentesh. Të njëjtat sot ata kanë bërë kërkesë t’i përdorin në proces gjyqësor. Në këtë parashtrim, Prokuroria thekson se këto deklarata dëshmojnë përfshirjen e Jakup Krasniqit në veprat e aktakuzës.
“Aneksi 2 përmban draftet e deklaratave publike të UÇK-së, komunikatave dhe deklaratave politike që janë sekuestruar gjatë një operacioni të autorizuar të kontrollimit dhe sekuestrimit në rezidencën e të akuzuarit Jakup KRASNIQIt, si dhe versione të deklaratave zyrtare që KRASNIQI i kishte përfshirë në një dorëshkrim të pabotuar libri. Për arsyet e dhëna më sipër në lidhje me Aneksin 1 dhe siç detajohet më tej në Aneksin 2, të gjitha këto materiale janë relevante, autentike dhe provuese. Përveç sekuestrimit nga rezidenca e të Akuzuarit, shumë prej draft versioneve të deklaratave publike në Aneksin 2 u publikuan dhe u shpërndanë përfundimisht”, thuhet në këtë parashtrim.
Gjithashtu në mesin e këtyre provave, Prokuroria përmend librin “Arkiv – Radio Kosova e Lirë”. Sipas Prokurorisë, ky libër shfaq fotografi, dëshmi e detaje të tjera lidhur me funksionimin e UÇK-së.
Raportimet e mediave
Në mesin e provave që Prokuroria po synon t’i shfrytëzojë në këtë proces gjyqësor janë edhe artikujt e mediave ndërkombëtare, të cilat në të shumtën e rasteve janë marrë nga agjencia e lajmeve Kosovapress. Sipas Prokurorisë, nëpër intervista të ndryshme e reportazhe, tregohet rregullimi i hierarkisë së UÇK-së.
“Aneksi 5 përmban 20 artikuj të lajmeve të Kosovapress-it që janë marrë nga shërbimi monitorues i BBC-së dhe janë ribotuar ndërkombëtarisht. Çdo artikull mban logon e BBC-së, informacionin për të drejtën e autorit dhe kohën dhe datën kur artikulli u ribotua. Përveç kësaj, burimi i secilit artikull i atribuohet qartë uebsajtit të agjencisë së lajmeve Kosovapress, dhe gjithashtu shënohet data origjinale dhe gjuha. Të gjithë artikujt e ribotuar janë me burim të hapur dhe për këtë arsye mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Si të dhëna të njëkohshme nga periudha e aktakuzës, artikujt e ribotuar janë shumë relevantë dhe provues. Individualisht, ato ofrojnë prova në lidhje me ekzistencën e një konflikti të armatosur, Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, përgjegjësinë superiore dhe rolet dhe përgjegjësinë e të Akuzuarit. Së bashku, artikujt më tej demonstrojnë se Kosovapress shihej si një nga zërat kryesorë të UÇK-së dhe përdorej në mënyrë rutinore nga udhëheqësit e UÇK-së për të shpërndarë informacione dhe për të zgjeruar agjendën e tyre politike”, thuhet në këtë parashtrim, transmeton gazeta Nacionale.
Disa nga artikujt që i ka përmendur Prokuroria: Një artikull i 20 janarit në vitin 1999. Ky artikull ishte botuar nga BBC, por që ishte marrë nga Koha Ditore. Aty pretendohet se Hashim Thaçi e kishte akuzuar Ibrahim Rugovën e Bujar Bukoshin si tradhtarë. Këtu Thaçi pretendohet se ka përmendur Evropën e Lirë dhe Kosovapressin si organe të UÇK-së.
Një tjetër artikull i BBC që ishte transmetuar nga media në Kosovë ishte “Rebelët e Kosovës, përzgjedhin komandantët e rinjë”. Artikulli tregon se Tahir Sinani ishte emëruar komandant i zonës së Pashtrikut, e që sipas Prokurorisë flet për organizimin e UÇK-së.
Një tjetër artikull është i 6 prillit të vitit 1999, kur Thaçi kishte vizituar ushtarët e UÇK-së. Në artikull thuhet se Hashim Thaçi, Ramë Buja e Agim Çeku kanë vizituar disa njësi të UÇK-së, ku janë njoftuar për gjendjen atje, moralin e oficerëve dhe ushtarëve, si dhe përgjigjen e popullit ndaj mobilizimit të përgjithshëm. Sipas Prokurorisë, ky artikull tregon për organizimin e UÇK-së.
Janë mbi 20 artikuj të ngjashëm që Prokuroria po tenton t’i shfrytëzojë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.