Milazim Lushtaku është në mesin e qytetarëve që u vlerësuan nga Komisioni Komunal i Skenderajt për dëmet e shkaktuara nga erërat dhe ngricat. Lushtaku, nip i nënkryetarit të Komunës, Sami Lushtaku, u vlerësua me dëmin prej 45 mijë euro për kompensim.
Nga lista e fermerëve, del se Milazim Lushtakut iu vlerësua dëmi tri herë më shumë se të tjerëve.
16 persona janë vlerësuar për të përfituar kompensime nga Komuna e Skenderajt për dëmet e shkaktuara nga era dhe ngricat gjatë vitit 2025.
Ndër ta është edhe Milazim Lushtaku, që është djali i vëllait të nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Në listën që e ka publikuar Insajderi, Lushtaku figuron i dhjeti në listë. Shuma që Komisioni vlerësoi se iu shkaktua dëm është 45 mijë e 226 euro.
Si përfitoi nipi i Lushtakut trefish më shumë se të tjerët?
Listën e fermerëve për nga vlerësimi e kryeson nipi i Sami Lushtakut.
Vetëm tre fermerë të tjerë u vlerësuan mbi 10 mijë euro, ndërsa shumica e tjerëve janë me nga 957 deri në 7 mijë euro.
Pra, Milazim Lushtakut iu vlerësua dëmi trefish më shumë se shumica e fermerëve të tjerë në listë.
Në lidhje me këtë, nga Komuna e Skenderajt kanë thënë se raporti është hartuar nga Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore.
Sipas tyre, Komunës ky raport do të shkojë si pikë e rregullt për diskutim në Kuvendin Komunal dhe se deri tani nuk kanë kryer asnjë kompensim, sepse nuk kanë buxhet.
“Ju njoftojmë se gjatë muajit prill komuna e Skenderajt është përballur me mot të ligë si pasojë e temperaturave të ulta/ngricave por dhe erërave të forta ku si pasojë shumë dëme janë shkaktuar tek qytetarët që merren me pemëtari por dhe veprimtari tjera bujqësore. Pas kësaj situate, Komisioni Komunal për vlerësimin e dëmëve nga fatkeqësitë natyrore pas kërkesave nga qytetarët ka dalë dhe ka bërë vlerësimin e dëmeve në kultura bujqësore ashtu siç e kërkon legjislacioni në fuqi. Pastaj është hartuar raporti për secilin rast dhe sipas procedurave ligjore, ky raport do të shkojë si pikë e rregullt për diskutim në Kuvendin Komunal dhe më pas tek AME dhe dikasteret tjera për kompenzim ashtu siç parashihet me ligjin për fatkeqësitë natyrore. Ju njoftojmë se komuna e Skenderajt nuk ka bërë asnjë kompromisim për këto dëme sepse nuk ka buxhet për këto raste. P ashtu ju njoftojmë se dëmet në bujqësi nuk janë kompensuar nga niveli qendror as nga vërshimet e 19 janarit 2023“, thuhet në përgjigje.
Milazim Lushtaku kishte përfituar edhe tender nga Komuna e Skënderajt
Nuk është hera e parë që Milazim Lushtaku përfiton nga Komuna e Skenderajt.
Komuna e Skenderajt kishte shpërblyer me kontratë në vitin 2024, kompaninë ku bashkëpronar është familjari i nënkryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku.
Kompania kishte marrë tender për sigurimin fizik në Objektin e Komunës, Shtëpinë e Kulturës, objektit për Punë Sociale, objektin të ish-TMK-së, objektin e QMKF-së, Parkingun Publik dhe Kuvendin Komunal të Skenderajt.
“Security Code” Sh.p.k, sipas të dhënave në (ARBK), është në pronësi të Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut. Secili me nga 50 për qind të aksioneve.