Dhjetëra autobusë nga Kosova që nga orët e vona të së martës e deri më tani kanë qenë të bllokuar nga Serbia në kufirin me Kroacinë, duke mos i lejuar që të vazhdojnë tutje.
Bllokime të tilla ka pasur edhe në kufirin Serbi-Hungari.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar disa kompani të autobusëve kanë njoftuar se kanë ndryshuar drejtimin.
Kompania “Sharr Travel” ka njoftuar se autobusët për të ardhur drejt Kosovës kanë shmangur rrugën për në Serbi.
“Për shkak të situatës së krijuar në kufirin Kroaci-Serbi, ku pala serbe ka bllokuar disa autobusë dhe të njëjtit nuk po i lejon të vazhdojnë rrugën në territorin e saj pa asnjë sqarim të vetëm.
Ne po iu njoftojmë se autobusët e “Sharr Travel” për të ardhur drejt Kosovës e kanë shmangur Serbinë. Pra, autobusët tanë janë duke udhëtuar nga Kroacia në drejtim të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Autobusi qe është nise mbrëmë nga Zvicra për në Kosovë ndodhet në Kroaci në drejtim të Splitit për të kaluar transit Malin e Zi dhe Shqipërinë”, ka njoftuar kompania “Sharr Travel”.
Drejtimin drejt Shqipërisë e kanë bërë edhe autobusët e kompanisë “Barileva Turist”.
“Të nderuar qytetarë ju njoftojmë që të gjithë Autobusët që sot janë nisur nga Kosova në drejtim të Gjermanisë, rrugën e kanë vazhduar përmes Shqipërisë, Kroacisë dhe në drejtim të Gjermanisë. Siguria juaj është për ne gjithmonë në vendin e parë!”, thuhet në njoftim.
Ndryshe MPJD dhe MPB sot u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin me çdo kusht drejt Serbisë, pas situatës së krijuar.