Të mërkurën e javës së ardhshme pritet të Mblidhet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, për të diskutuar iniciativën qytetare për lejimin e tërheqjes së 30 % të parave nga Trusti.
Kështu ka thënë për Front Online iniciuesi i kësaj nisme, Adnan Jashari.
“Sipas informacioneve të fundit, Trusti është shty për të mërkurën e ardhshme”, tha ai.Derisa foli për Trustin, Jashari thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt me kryetarin e këtij komisioni, Armend Mujën.
“Trusti të mërkurën shkon në Komision. Me Armend Mujën nuk kemi biseduar fare, nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti”, ka deklaruar Jashari.Çështja e Projektligjit për Trustin është planifikuar të diskutohet në Komision të mërkurë e kaluar, mirëpo një gjë e tillë është shtyrë.
Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti. Kjo është bërë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qëllim i të cilit ka qenë adresimi i vështirësive financiare, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Asokohe, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut-pagues. Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe atëherë ka qenë kundër.