Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka thënë se numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet me shpejtësi por jo sikur në Serbi. Knaus u shpreh kështu referuar një raporti të ESI (European Stability Iniciative), pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në letrën që iu kishte drejtuar liderëve evropianë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE kishte thënë se ka “terror ndaj serbëve të Kosovës” për t’i dëbuar nga Kosova.
“Numri i serbëve të Kosovës po zvogëlohet me shpejtësi, për shkak të ‘terrorit shqiptar’. Në fakt, një raport i ri i ESI zbuloi: ai po tkurret shpejt. Por, jo më shpejt se shifrat në shumë rrethe në Serbi… Pra, edhe këto pretendime janë thellësisht mashtruese.”, shkruan Knaus.
Në raportin e ESI-it, shkaktarë për zvogëlimin e popullsisë thuhet se janë plakja e popullsisë dhe rënia e natalitetit.
Knaus më tej thotë po ashtu se asnjë raport i Këshillit të Evropës nuk ka gjetur se “ka terror ndaj serbëve të Kosovës”.
Knaus potencoi edhe sulmin terrorist në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023, që u udhëheq nga nënkryetari i partisë aleate të Vuçiqit në Kosovë, Milan Radoiçiq.