Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të lidhen vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, “e jo me gjëra të tjera, si dialogu me Serbinë”.
Knaus – organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës – thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të jetë kusht, sepse “nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia”.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.
“T’iu hedhim një sy fazave të ndryshme – janë tri faza që Kosova duhet t’i kalojë. E para është rekomandimi i Komitetit për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Mbledhja do të mbahet në fund të marsit. Për këtë, e dimë se janë përmbushur kushtet, sepse do të diskutohet raporti i raportueses [për Kosovën], Dora Bakoyannis. Edhe pse do të jetë një seancë e jashtëzakonshme, ajo do të zhvillohet në javën e festës [së Pashkëve] dhe sfidë do të jetë ardhja e njerëzve. Por, jam i bindur se – nëse ka mjaftueshëm njerëz – votimi do të jetë pozitiv. Kjo, pastaj, do të kalojë në Asamblenë Parlamentare, në prill. Edhe atje, nëse Komiteti rekomandon se Kosova duhet të jetë anëtare – gjë që mendoj se do të ndodhë – atëherë edhe Asambleja Parlamentare do të rekomandojë që Kosova të jetë anëtare”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Vendimi [i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit] u hap derën hapave të ardhshëm dhe pastaj, çdo gjë do të varet nga qeveritë, në maj. Për këtë, ne dhe Kosova duhet të kërkojmë mbështetje.
E dimë se ka skepticizëm, por me rekomandime të fuqishme dhe me deklarata të fuqishme nga Asambleja Parlamentare dhe nga politikanë në të gjithë Evropën, se kushtet duhet të jenë të lidhura vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, e jo me gjëra të tjera, si për shembull dialogu me Serbinë, që nuk lidhet me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut… nëse kjo është linja që ndiqet nga shtetet anëtare, atëherë shpresoj të ketë edhe një votë pozitive në maj.
Nuk do të jetë e lehtë, do të duhet të ketë përpjekje për t’i bindur, por është një mundësi e madhe për Kosovën që t’iu shpjegojë qeverive në të gjithë Evropën se çfarë ka arritur kur bëhet fjalë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e pakicave, dhe çfarë planifikon të arrijë në javët dhe muajt e ardhshëm për të përmirësuar respektimin e të drejtave të njeriut.
Pra, mund të jetë një mundësi për një mesazh pozitiv dhe nëse funksionon dhe Kosova i bashkohet Këshillit të Evropës këtë vit, do të ishte një triumf për politikën e jashtme të Kosovës – ndoshta më i madhi që nga shpallja e pavarësisë më 2008″, ka theksuar ai mes tjerash në një intervistë për REL.