Një grua e re kineze e quajtur Zheng Xiangxiang ka më shumë se 530 milionë ndjekës në platformën popullore Douyin dhe së fundmi është vënë në qendër të vëmendjes së mediave.
Ajo shiti më shumë se 10 milionë produkte në shtatë ditë falë taktikave të saja të pazakonta para kamerave. Fitimi total besohet të jetë 12.6 milionë euro!
Cili është sekreti i saj? Zheng e prezanton një produkt brenda dy deri në tre sekonda, sikur në një rrip transportieri, raporton Yahoo News.
Me fjalë të tjera, klientët potencial marrin pak informacion rreth produktit.
Bëhet fjalë kryesisht për artikuj të lirë, këpucë, rroba, varëse rrobash dhe sende të tjera shtëpiake, çmimet e të cilave ndryshojnë nga tre deri në 11 dollarë.
Nuk dihet se kur vajza e bëri shitjen e pabesueshme, por platforma Douyin që atëherë ka ndryshuar rregullat e saj, duke ndaluar në mënyrë specifike shitjet online me pak ose aspak informacion për produktin.
Theksohet se shkelja e rregullave, të cilat kanë hyrë në fuqi më 27 tetor, mund të sjellë gjobë dhe mbyllje të llogarisë.
Videot e Zheng duke prezantuar produktet janë shfaqur në platforma të tjera dhe jo të gjithë janë të emocionuar.
Kështu, një përdorues i YouTube ka komentuar se nuk i ka parë rrobat qartë, pasi “nga kutia është nxjerrë vetëm një pjesë”.
“A po e blen dikush vërtet këtë?”, pyeti ai. /Telegrafi/