Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë e me burgim deri në pesë vjet. Një vepër e tillë po dyshohet se është kryer nga menaxherja e një qendre tregtare në Prizren, e cila është denoncuar gjatë ditës së djeshme në Polici, nën dyshimin se ka përvetësuar mijëra euro. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet për këtë rast, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se objekt i hetimit lidhur me këtë rast është e dyshuara Kaltrina Tafaj, 30-vjeçare – e cila ushtron detyrën e menaxheres në qendrën ky dyshohet se u “avulluan’ mbi 31 mijë euro.
Dyshimet ndaj saj u ngritën pas parregullsive që dyshohet se janë zbuluar që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar dhe lidhen me shumën e parave të raportuara, e cila dyshohet të ketë lëvizur kohë pas kohe dhe përgjegjësinë për këtë e mban e dyshuara Tafaj.
Rasti u denoncua gjatë ditës së djeshme dhe dy dëshmitarët që kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, kanë thënë se përgjegjësia për mungesën e mijëra eurove bie mbi menaxheren Tafaj, por nuk kanë deponuar dëshmi.
Shoqërimi i menaxheres në Polici
Si rezultat i raportimit të rastit, është urdhëruar që të shoqërohet në Polici edhe e dyshuara, e cila po ashtu është intervistuar lidhur me pretendimet se ka përvetësuar mbi 31 mijë eurove që po dyshohet se kanë munguar në qendrën ku ajo mban pozitën e menaxheres.
Bazuar në dëshminë e saj dhënë para hetuesve policorë, që nga muaji dhjetor ajo ka raportuar te menaxhmenti për problemet dhe parregullsitë në pagesa, mirëpo sipas saj, një gjë e tillë nuk është marrë parasysh dhe ajo s’ka gisht në këtë rast.
Të njëjtat burime thonë se Tafaj ka deklaruar se kompania i ka kërkuar asaj që të kompensojë shumën e parave që mungon dhe pas refuzimit të saj, rasti është denoncuar në organet e rendit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Personi përgjegjës që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike kryen veprime të caktuara me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për ndonjë person tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.
Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë versionin edhe nga vet e dyshuara Tafaj, por e njëjta e ka ndalur telefonatën posa e ka kuptuar se kush po e kontakton.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.