Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se e kanë hequr paraburgimin automatik, duke theksuar momentin kur i kishte përmendur ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, rastin e dhjetorit në 2022.
“A ju kujtohet, në dhjetor 2022, kur Ministrja Haxhiu më pat thënë “po i mbështet dhunuesit”, sepse pata argumentuar LIGJËRISHT që paraburgimi NUK GUXON të jetë automatik, me që është kundër Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?”, ka shkruar ajo.
“Eh, e paskan hequr paraburgimin automatik. Atë që sipas Ministres asokohe ishte “mbrojtje e dhunuesve”, i paska ‘dalur’ sikurse i thoja unë”.
Ajo tutje ka thënë se në arsyetim është thënë se është hequr sepse është vlerësuar i panevojshëm.
“Gjithë ajo gjuhë e ulët, joprofesionale (thënë më së buti), për diçka që sot e quajnë “të panevojshme”. Arsyetimi qesharak? PO. Ofendimet e atëhershme banale? PO”.
Teksa, ka kritikuar për mënyrën se si po mbahet shteti.
“Prandaj heshtja nuk duhet të jetë kurrë opsion karshi popullizmit e mosdijes. Në fund, secili mbetet peng i fjalëve të veta”.
“Shteti as nuk bëhet as mbahet me eufori e drama politike”.
Më 8 dhjetor, një përplasje e ashpër ishte zhvilluar në Kuvend mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetes së LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili.
Diskutimi i ashpër erdhi në pikën për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në temën e dhunuesve në familje, dhe masat që duhet të merren ndaj tyre.
Haxhiu kishte përmendur edhe rastin kur prokurori i rastit, Rasim Maloku, kishte liruar Sokol Halilin në procedurë të rregullt, kur ky ishte arrestuar për kanosje ndaj ish-gruas së tij dhe të njëjtit më pas i ishin gjetur edhe armë.
Kjo kishte shkaktuar reagim të ashpër të deputetes Kica.