Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nëpërmjet një deklarate të përbashkët i kanë reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, duke i thënë se shteti duhet t’u gjejë çare viktimave të krimit, “në mënyrë që të mos mbesin në mëshirën e organizatave jo-qeveritare”.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim”, thuhet në reagim.
Në komunikatë, tutje thonë se deklaratat e sotme të Kurtit nuk i ngjajnë dikujt që përfaqëson institucionet e vendit.
KGJK, tutje ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme karshi rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë të dyshuar.
Kurti, përgjatë ditës me anë të një reagimi në ‘Facebook’ ka akuzuar KGJK-në dhe KPK-në për heshtje ndaj këtij rasti.
“Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin”, deklaroi Kurti, teksa përmendi shkarkimet në zinxhirin komandues në Policinë e Kosovës.