Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport në lidhje me veriun e Kosovës dhe atë që kishte ndodhur në Banjska në shtator të vitit të kaluar.
Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjska në shtator 2023, raporti i Grupit të Krizave thekson se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [terroristëve të armatosur serbë] në pyjet përreth, nga të cilat pyje ata u “zhduken” “.
KFOR-i në një reagim publik thotë se ky raportim është i pasaktë.
“Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, vijon komunikata.
Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i thotë se u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë.
“Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.
KFOR-i thotë se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë.
“Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më armë të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë, dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, vijon komunikata.
KFOR-i thotë se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.