KFOR-i mirëpret respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka mirëpritur respektimin e marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Më 16 tetor, të enjten, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut për disa minuta. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.

Menjëherë pas këtij rasti, sipas KFOR-it, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka telefonuar komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, për të sqaruar rastin.

KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u rikthesua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes. Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.

Lidhur me rastin komandanti Jashari tha për Albanian Post se ndaj ekipit që hyri gabimisht në veri po përgatiten disa masa.

“Po, kemi kontaktuar, pasi janë pjesëtarët tanë që kanë ngatërruar rrugën. Do të sqarojmë të gjithë rastin se si ka ndodhur. Sa i përket masave, këto janë procedura të brendshme, sigurisht që ne jemi angazhuar për to dhe besoj se do të arrijmë tek pikat e duhura”, deklaroi Jashari për AP.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.