Nisma legjislative e qytetarëve të Kosovës të cilët kanë nënshkruar peticionin për projektligjin për Trustin pritet të trajtohet në Kuvend në sesionin vjeshtor.
Derisa deputetët, pritet t’i kthehen punës nga dita e nesërme.
Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ishin dorëzuar nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trust-in, i cili do tu mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Të njëjtat nënshkrime iu janë nënshtruar verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online muajin e kaluar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tha se nënshkrimet janë verifikuar në bazë të listës së fundit të votuesve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar listën e nënshkrimeve në raport me listën e fundit të votuesve, e cila i takon Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit 2021 dhe të cilën e posedon KQZ-ja”, u shpreh ai.
Elezi tha se për verifikimin e nënshkrimeve, javën e kaluar e kanë njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.
“Lidhur me këtë, të enjten e javës së kaluar kemi informuar zyrtarisht Kryetarin e Kuvendit të Kosovë”, tha ai për Front Online.
Qeveria e Kosovës ka afat 30 ditor për të dhënë mendimin për këtë projektligj.
Pas ditës së 30-të projektligji kthehet në Kuvend në procedurë parlamentare dhe trajtohet sipas procedurës për miratimin e ligjeve në lexim të parë dhe të dytë.
Ndryshe, partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë përkrahur këtë projektligj.