Këshilltarja e Kurtit për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se konferenca e djeshme e presidentit serb ishte “aktrim i dobët nga ish ministri i propagandës së viteve të ’90- ta”.
“Konferenca për media e paralajmëruar gjatë tërë ditës e presidentit të Serbisë, u mbajt pa ndonjë sqarim, pa ndonjë konkluzion. Gjithçka pamë në këtë dalje publike të Aleksandar Vuçiq ishte një aktrim i dobët nga ish ministri i propagandës së viteve të ’90 – ta. Të vetmën gjë që bëri në këtë konferencë me pyetje të parapërgaditura nga mediat e kontrolluara, ishte mohimi i përgjegjësisë dhe distancimi nga përgjegjësia e Serbisë për gjithçka që ndodhi sot në Kosovë. Ashtu siç deri më tani mohoi krimet e bëra në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.”
Sinani ka shkruar se Vuçiqi tradhtoi qytetarët serbë të Kosovës dhe mohoi përgjegjësinë e Serbisë.
“Por, në tentativën për të mohuar përfshirjen e strukturave shtetërore në sulmin e sotëm terrorist në Kosovë, Vuçiq tha se të përfshirët sot janë qytetarët serb të Kosovës. I zënë ngushtë për atë që e panë tërë bota se në këtë sulm terrorist ndaj shtetit të Kosovës është e përfshirë kokë e këmbë shteti serb, ai tradhtoi qytetarët serb në Kosovë. Qytetarë për të cilët derdh lot krokodili për kinse shprehje kujdesi për ta. E në fakt, u faktua që kanë qenë e janë vetëm vegël lehtësisht e (keq)përdorur nga politikat shoviniste në Beograd. Një reprizim i shëmtuar i viteve të ’90-ta me të cilën tërë bota e njohu Serbinë. Reprizim që dëshmon edhe logjikën e ngjashme qeverisëse të atyre viteve të kobshme.”