Gazetari dhe analisti serb, Branisllav Kërstiq, ka deklaruar se amerikanët dhe Brukseli duhet të bëjnë presion më të madh ndaj Vuçiqit dhe Kurtit sa i përket zgjidhjes së problemit të Kosovës, duke iu ofruar atyre variantin ‘merr sot ose pasnesër do ta marrësh me zor dhe jo ‘merr ose le’.
Kërstiq e sheh zgjidhjen me krijimin e një asociacioni të favorshëm për të dyja palët duke përfillur integritetin territorial i Kosovës, për të cilën thotë se do të krijohet deri në fund të këtij viti, ndërsa zgjidhjen përfundimtare të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit e parashikon në fund të vitit 2024.
Asociacion i cili do të jetë i favorshëm për të dyja palët, që d.m.th asociacion jo me ingerenca territoriale dhe në anën tjetër shtetin e pavarur të Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare janë lodhur shumë me udhëheqësit e të dyja shteteve dhe kjo duhet të ndërpritet. Duhet thënë, ju të dy s’keni bërë asnjë marrëveshje, që do të thotë tash jeni në duart e administratës amerikane dhe të Brukselit, merrni sot ose merrni pasnesër me zor, jo mere ose le, por merrni sot ose pasnesër apo pas gjashtë muajsh, me zor. Për serbët asociacioni, për kosovarët shteti i pavarur, dhe të nisim të ndërtojmë jetën së bashku. Më duket se ky është kriteri i vetëm … Jam optimist.. deri në fund të këtij viti do të kemi një asociacion, dhe deri në fund të vitit të ardhshëm të kemi përfundimisht dy shtete… Pa ata (ndërkombëtarët) ne do të kemi edhe luftë këtu nesër, incidente serioze, që dmth. është moment i fundit…As qytetarët e zakonshëm shqiptarë, as serbë, jo që nuk janë për luftë, por ata nuk janë për asnjë incident’, ka thënë për KosovaPress Kërstiq.
Ai u shpreh se tani është momenti i fundit për një zgjidhje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, faktori ndërkombëtarë është lodhur me këtë çështje dhe ikja e tyre nga veriu do ta ndizte atë pjesë menjëherë me incidente serioze, madje edhe me luftë, e që siç tha ai, as serbët dhe as shqiptarët nuk e duan.
Kërstiq ka folur edhe për zgjedhjet e 23 prillit për të cilat thotë se kanë qenë të ligjshme, por ai konsideron si të pakuptimtë faktin që dikush me 75 vota të udhëheqë me Komunën e Zveçanit për të cilën thekson se ka rreth 15 mijë banorë serbë.
Gazetari i cili jeton në veri të Kosovës, e sheh të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë, por vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe gjithnjë me mbështetje serioze të autoriteteve ndërkombëtare.