Kërkohet paraburgimi dhe dënimi i të dyshuarit për kërcënimin e deputetes Ariana Musliu-Shoshi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgimin dhe dënimin sipas ligjeve në fuqi ndaj të dyshuarit A.B. për kërcënimin e deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, më 02.05.2023, rreth orës 19:00, përmes rrjetit social “facebook”, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën A.M-SH., deputete e Kuvendit të Kosovës, për shkak të detyrës së saj, ashtu që i pandehuri nga një profil në rrjetin social “facebook” i drejtohet: “…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…”, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktim të masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, ndaj të pandehurit A.B., për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.

“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.