Kërkesave të ndërkombëtarëve për periudhë të gjatë tranzicioni sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë, së fundmi i janë shtuar edhe afate të sakta.
Një ditë më parë, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde tha se ajo duhet të jetë katër muaj, sikur në rastin e targave ilegale serbe.
Por një ditë më vonë, kryeministri Albin Kurti nuk dha sinjale për pranimin e kësaj kërkese.
“Kosova e ka euron, qysh janë konvertuar targat nga KM në RKS, edhe më shpejt edhe më kollaj mund të bëhet konvertimi nga dinari në euro. Besoj që alarmimi, që vjen me idenë e përhapjes së panikut, vjen nga Beogradi. Ajo çka bëjmë ne është informimi i drejtë. E kemi një periudhë tranzitore, në kuptimin që nuk dëshirojmë të ndëshkojmë ata të cilët kanë ende dinarë, por dëshirojmë të institucionalizojmë financat në vendin tonë”, ka deklaruar Albin Kurti.
“Në fund të fundit, Kosova është ajo që i merr vendimet dhe vendimet kurrë nuk i merr në mënyrë të njëanshme siç po portretizohet ashtu. D.m.th. çështja për dinarin është ditur qysh moti. LVV ka pritur tri vite për të marrë këtë vendim. Ndërkombëtaret e kanë ditur që nën qeverisjen e LVV do të merret një vendim i tillë”, ka thënë Glauk Konjufca.
Deklaratat lidhur me dinarin serb Kurti e Konjufca i bënë pas homazheve te pllaka përkujtimore e ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.
Ata u vranë nga policia e UNMIK-ut 17 vjet më parë në protestën e Vetëvendosjes kundër Pakos së Ahtisarit, në bazë të së cilës u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008.
Kundërshtimin e atëhershëm, Kurti sot në karrigen e kryeministrit e arsyetoi me vlerësimet se pakoja parashihte shumë koncesione monoetnike në vend. /Dukagjini/