Deputetët britanikë sot do të mbajnë një debat mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Këtë debat e ka futur në agjendë deputetja Alicia Kearns, e cila është edhe në krye të Komitetit për Punë të Jashtme.
Mbretëria e Bashkuar duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit në mes rreziqeve të destabilizimit në rajonin europian, ka paralajmëruar Kearns.
Deputetja konservatore Alicia Kearns do të udhëheqë një debat në House of Commons për rajonin juglindor të Europës të enjten, duke paralajmëruar se ai mund të bëhet vendi i një “konflikti të tretë global, të madh”, së bashku me Ukrainën dhe Gazën, nëse nuk ndërmerren veprime parandaluese, siç shkruan “The Standard”.
“Ballkani ka rëndësi dhe nëse ne e shpërfillim atë do të përfundojmë duke pasë një zjarr në pragun tonë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve PA.
“Kjo ka rëndësi jo vetëm për sigurinë europiane, sepse në thelb është oborri ynë i zgjeruar dhe nëse ka krizë në Ballkan, ne do ta ndiejmë atë këtu, do të ndikojë tek të gjithë ne; dhe ne nuk mund të përballojmë një konflikt të tretë global, të madh dhe kjo është pikërisht ajo që do të ndodhte”.
Kearns e përmendi vizitën e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi në ditët e fundit ndër zhvillimet që sugjerojnë se tensionet rreth rajonit mund të rriten.
Një qeveri e re pro-ruse ka ardhur në pushtet në Serbi, e cila disa frikësohen se mund të çojë në përplasje me Perëndimin, shkruan kjo gazetë britanike.