Gjithashtu, Elezi ka pohuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së.
Ndryshe, Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri të vendit.
“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.
Ky qëndrim i Listës Serbe ka nxitur disa reagime.
Ambasadori gjerman Jorn Rohde në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.
“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha ambasadori Rohde.
Gjithashtu, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka shprehur keqardhjen lidhur me deklaratat e Listës Serbe që nuk do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.
Në një përgjigje për Telegrafin nga ambasada amerikane kanë thënë se pjesëmarrja demokratike në votim, ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullit të cilit i shërbejnë.
“Shprehim keqardhje për deklaratën e Listës Serbe se do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.
Më tej ambasada ka shtuar se Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar.