Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri goxha e shpeshtë në Kosovë. Hajnat, herë vetëm e herë në grup jo rrallëherë kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, apo edhe nga qytetarët që i zënë në pronat e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në fshatin Besi në Prishtinë, ku një banor kërkoi ndihmën e Policisë.
Të dyshuarit u zbuluan nga pronari i pronës, i cili e denoncoi rastin dhe si rezultat intervenoi një një njësi policore.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se katër persona po dyshohen për këtë rast, të cilët janë nga familja Kuleta – që ranë në prangat e Policisë.
Pas shoqërimit në stacion policor, të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me t’u përfunduar procedurat, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tyre.
Lidhur me rastin, është konfiskuar furgoni, një mjet pune, si dhe drutë që u prenë dhe u vodhën.