Një arritje e rëndësishme është shënuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku për herë të parë kardiokirurgët ka realizuar me sukses zëvendësimin e plotë të harkut të aortës, një ndër ndërhyrjet më komplekse në kirurgjinë e zemrës.
Operacioni është kryer te një pacient 52-vjeçar, i cili ishte diagnostikuar me diseksion akut të aortës të tipit Stanford A, një gjendje jashtëzakonisht e rrezikshme për jetën që kërkon ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale, raporton Gazeta Sinjali.
Pacienti fillimisht kishte kërkuar ndihmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt, për shkak të dhimbjeve të forta në kraharor dhe shpinë. Pas dyshimeve për një problem serioz me aortën, ai ishte transferuar urgjentisht në QKUK, ku ekzaminimet konfirmuan diagnozën.
Gjatë operacionit, mjekët konstatuan se çarja e shtresës së brendshme të aortës ndodhej pikërisht në harkun e saj, çka e bëri të domosdoshëm zëvendësimin e plotë të këtij segmenti.
Përveç kësaj ndërhyrjeje, ekipi mjekësor arriti të ruajë edhe valvulën natyrale të aortës së pacientit, duke e riparuar atë pa pasur nevojë për vendosjen e një valvule artificiale.
Kombinimi i këtyre dy procedurave konsiderohet veçanërisht sfidues, pasi kërkon teknika të avancuara kirurgjikale dhe kujdes të jashtëzakonshëm për ruajtjen e qarkullimit të gjakut drejt trurit dhe organeve të tjera jetike.
Pas operacionit, gjendja shëndetësore e pacientit ka shënuar përmirësim të shpejtë.
Pas 11 ditësh trajtimi dhe kujdesi postoperator, ai është liruar nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore, për të vazhduar rikuperimin në shtëpi.
Kush janë mjekët që realizuan ndërhyrjen historike?
Operacioni është realizuar nga ekipi vendor i Kardiokirurgjisë në QKUK, i udhëhequr në aspektin kirurgjikal nga kardiokirurgët Dr. Endrit Shala dhe Dr. Arben Muji.
Pjesë e ekipit ishin edhe anesteziologët Dr. Dafina Matoshi, Dr. Flamur Krasniqi dhe Dr. Abedin Gallapeni.
Në realizimin e ndërhyrjes kontribuuan perfuzionistët Vlora Abazi dhe Zejnullah Merturias, si dhe instrumentistet Fitore Zenelaj, Besjana Gashi dhe Shkendije Rexha.
Kjo ndërhyrje shënon një hap të rëndësishëm për sistemin shëndetësor të Kosovës, pasi dëshmon se operacione të kësaj shkalle kompleksiteti mund të realizohen edhe nga ekipet vendore, pa pasur nevojë që pacientët të dërgohen domosdoshmërisht jashtë vendit për trajtim.
Arritja vlerësohet si rezultat i përgatitjes profesionale, bashkëpunimit të ekipeve mjekësore dhe përvetësimit të teknikave moderne kirurgjikale përmes trajnimeve në qendra evropiane.
