Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër sot më 31 gusht.
Kjo rritje e pranisë së KFOR-it aty besohet se erdhi pas aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës për mbylljen e disa objekteve të institucioneve paralele ilegale në veri.
Mbi këtë urë, që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë, me atë të Veriut të banuar me shumicë serbe, përveç makinave, është parë edhe një kordon i pjesëtarëve të KFOR-it, mirëpo tashmë ata janë larguar.
Në disa pamje të siguruara nga Infokus shihet se tashmë trupat e shtuar të KFOR-it janë larguar, por aty tash janë vendosur dy autoblinda.
Ndryshe aksioni i djeshëm i Policisë së Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
E po ashtu kryeministri Albin Kurti është përballur me kritika kohëve të fundit nga bashkësia ndërkombëtare sepse ka shprehur synimin që ta hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i janë shprehur kundër hapjes së urës tani. KFOR-i dhe BE-ja kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.