Kaq euro kushtojnë tekstet shkollore për një nxënës të klasës së parë

Kostoja e teksteve shkollore për një nxënës të klasës së parë, sipas çmimeve nëpër librari, është rreth 75 euro.

Pas 15 vjetësh, sivjet prindërit do të obligohen që vetë t’i blejnë tekstet, e Ministria është zotuar se do t’i rimbursojë.

Ndërkaq, ka shkolla në kryeqytet ku vullnetarët janë mobilizuar për t’i ndihmuar rastet sociale që t’i sigurojnë tekstet për nxënësit.

E nga partitë opozitare e kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi vlerësuan se propozimi i saj përbën paaftësi në menaxhimin me sistemin arsimor dhe se ka një kosto për 20 për qind më të lartë sesa me anë të blerjes së librave nëpërmjet procedurave të prokurimit

Rreth 75 euro kushtojnë 16 tekstet shkollore të nëntë lëndëve mësimore për një nxënës të klasën së parë.

Çmimet nëpër librari për librin bazë variojnë nga 5 deri në 6 euro, ndërsa për fletore të punës dhe tekstet e lëndëve së artit, të muzikës dhe të edukatës fizike janë nga 4 euro. Të njëjta çmime variojnë edhe për librat e klasave nga e dyta deri në të pestën.

Sivjet, pas 15 vjetësh, obligimi për t’i blerë tekstet shkollore është duke u shqyrtuar që t’u bartet prindërve, pasi që vetëm 10 ditë para nisjes së procesit mësimor Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka dështuar që të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizim të shkollave me libra. Ajo i ka akuzuar shtëpitë botuese për ofertim të çmimeve shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Për kompensimin e blerjes së librave, Ministria ka premtuar se do t’i deponojë mjetet në xhirollogaritë e prindërve. Por ish-kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, e ka vlerësuar këtë premtim si të papranueshëm.

“Deklarimi i fundit, për të matur reagimin publik, që librat të mos blihen me prokurim publik, por t’u rimbursohen shpenzimet e blerjes së librave përmes transferimit të mjeteve në llogari të qytetarëve është i gabuar në shumë dimensione”, ka thënë Demi, i cili ka shtuar se me këtë propozim krijohet praktika që institucionet ta heqin barrën e vendimmarrjes nga vetja, duke ua bartur atë të tjerëve.

Praktika e shpërndarjes së librave falas nga Ministria e Arsimit për shkollat ka filluar që nga vitit 2008. Sipas udhëzimit administrativ, të publikuar në vitin 2016, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, ky obligim i takon ministrisë.

“MASHTI ka obligim që të bëjë pajisjen e nxënësve të arsimit të obliguar me tekste shkollore”, shkruan në nenin 2 të udhëzimit, ku parashihen obligimet për MASHTI-in.

Deri në vitin 2021, Ministria e Arsimit ka përzgjedhur nga një shtëpi botuese për secilën lëndë dhe ato i ka shpërndarë në institucionet arsimore. Qe dy vjet, duke u thirrur në luftim të monopolit, Ministria ka vendosur që për secilën lëndë të ketë më shumë se një shtëpi botuese, e pastaj mësimdhënësit të vendosin se me cilën libër dëshirojnë të punojnë. E pastaj, Ministria ka pasur për obligim që të nënshkruajë tenderin me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me tekste.

Si rrjedhojë e pasigurisë së krijuar rreth pajisjes me tekste shkollore, në shkolla kanë thënë se prindërit kanë filluar që të mobilizohen për ndihmuar njëri-tjetrit në rast se ministria nuk i kryen obligimet e saj.

“Kemi diku mbi 30 nxënës që janë me asistencë sociale dhe është lajm i mirë se prindërit e shkollës, miqtë e shkollës kanë shprehur gatishmëri që ato raste t’iu ndihmojnë në blerjen e librave në rast se ka mundësi, nëse vije puna deri te blerja e librave për nxënës, madje rimbursimi”, ka thënë Visar Osmani, drejtor në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet.

E në Ministri të martën është mbajtur një takim midis Departamentit të arsimit parauniversitar dhe shtëpive botuese. Sipas njoftimit nga MASHTI-i, përfaqësuesit e shtëpive botuese janë zotuar se nuk do t’i rrisin çmimet.

“Në kuadër të takimeve të rregullta, Departamenti për arsim parauniversitar në MASHTI ka mbajtur takim me përfaqësues të shtëpive botuese rreth përgatitjeve për vitin shkollor, përkatësisht furnizimin me tekste shkollore. Në këtë takim, përfaqësues të shtëpive botuese janë zotuar se ka tekste të mjaftueshme shkollore dhe se nuk do të ketë rritje të çmimit të tyre”, është thënë në përgjigjen nga MASHTI-i.

Ministrja Arbërie Nagavci, pati akuzuar të hënën shtëpitë botuese se kanë ofertuar çmime të larta për libra. Pas kësaj akuze, nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” thanë se kanë dërguar ofertë për 4 për qind më të lirë se vitin paraprak.

Shukri Klinaku, pronar i shtëpisë botuese “Luarasi”, ka thënë për KOHËN se Nagavci ka gënjyer, pasi kompania e sivjet nuk ka marrë pjesë në tender, për shkak të vonesave me procedura nga ministria.

“Meqenëse në vitin 2023, në korrik, e ka dërguar me vonesë tenderin, ne nuk kemi ofertuar fare. Nga ky aspekt është e pandershme nga ana e ministres që ne të na përmendë në kontekstin e këtij viti, të na përmendë si shtëpi botuese”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore, shtëpitë botuese materialet e tyre i dërgojnë te Komisioni i recensentëve, i formuar nga MASHTI-i dhe pasi të marrin aprovimin e, katalogu me librat e tyre dërgohet në shkolla për përzgjedhje.

Krahas kritikave nga shtëpitë botuese, propozimi i Nagavcit që prindërit t’i blejnë vetë librat për fëmijët e tyre, me rimbursim, është përcjellë me reagime edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare.

Të martën konferenca shtypi lidhur me çështjen kanë mbajtur në Lidhjen Demokratike (LDK), në Partinë Demokratike (PDK) dhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Jehona Lushaku, anëtare e Kryesisë e LDK-së, ka thënë se Ministria ka treguar paaftësi me propozimin që blerjen e librave t’ua bartë prindërve. Ajo ka shtuar se kostoja e blerjes së librave nga prindërit do të jetë 20 për qind më e lartë se nga sigurimi i tyre me anë të procedurave të prokurimit.

“Varianti i Ministrisë do të jetë shumë më i kushtueshëm. Nga kjo do të dëshmohet se blerja me pakicë do të jetë më e shtrenjtë. Këtu nuk po e llogarisim edhe angazhimin e prindërve për t’i blerë. Të gjitha këto nuk janë llogaritur. Çmimi i librave do të jetë minimalisht 20 për qind më i shtrenjtë”, ka thënë ajo.

Për këtë arsye, Lushtaku e ka kërkuar dorëheqjen e ministres Nagavci.

“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci, për shkak të keqmenaxhimit, shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi dhe anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar të menaxhojë çdo nivel të arsimit”, ka thënë ajo.

E Besianë Musmurati, drejtoreshë për Arsimi në Komunën e Prishtinës dhe anëtare e PDK-së, ka thënë se propozimi i ministrisë është shembulli i keqqeverisjes në arsim.

“Tentativat për të fshehur dështimin në arsim me arsyetime e fshehje pas gabimeve të së kaluarës duhet të marrin fund. Gabimet nuk përmirësohen me gabime më të mëdha. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re, e cila pritet të krijohet – ku edhe shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjen nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, e ka ndërlidhur propozimin e fundit të Ministrisë me veprim për të nxitur nisjen e grevave.

“Ky vendim është për të provokuar greva, të dëmtojë arsimin publik dhe të krijojë edhe një krizë dhe të dëmtojë financiarisht qytetarin. Kjo situatë mund të përfundojë dhe të ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeveri”, ka thënë ai.

Vitin e shkuar, procesi mësimor pati nisur më 1 tetor, si pasojë e grevës së mësimdhënësve për paga, të nisur që nga 25 gushti.