Kapen mbi 122 mijë euro të padeklaruara te Dheu i Bardhë

Dogana e Kosovës ka konfiskuar mbi 122 mijë euro në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, gjatë një tentimi të mosdeklarimit të mjeteve monetare.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 09:15, në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsej katër udhëtarë.

Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala, sipas Doganës, është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim.

Bëhet e ditur se pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32 mijë e 500 euro.

Pas konstatimit të kësaj parregullsie dhe pyetjes së zyrtarit doganor mbi mosdeklarimin e mjeteve monetare, pala është përgjigjur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person”.

Bazuar në dyshimet e ngritura, automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare është kryer kontroll i detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro).

“Rasti është përcjellur për hetime të mëtejme, derisa Dogana e Kosovës rikujton se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato. Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore”, thuhet në njoftim.