Prokuroria publike e Schwyz-it dënoi kosovarin për hyrje të paligjshme, qëndrim të paautorizuar dhe punë pa leje me një gjobë prej 6800 frangash.
Dy persona janë arrestuar në kantonin Schwyz, të cilët u përpoqën të merrnin një leje qëndrimi duke përdorur pasaporta false kroate. Ata janë paraqitur në Zyrën e Migracionit në prill dhe menjëherë kanë ngjallur dyshime me pasaportat e tyre me pamje të dyshimtë.
Ata pretendonin se ishin kroatë, transmeton albinfo.ch. Por, ekspertët nga policia kantonale Schwyz zbuluan shpejt se dokumentet e paraqitura ishin falsifikime.
Pas hetimeve të mëtejshme u bë e qartë: Njëri nga ta ishte një 35-vjeçar kosovar, i cili kishte hyrë ilegalisht nga Italia dhe punonte si murator. Tjetri ishte një shtetas 23-vjeçar i Serbisë, i cili po ashtu kishte ardhur nga Italia në fillim të vitit dhe punonte si murator, shkruan “Bote der Urschweiz”.
Të dy burrat kishin shpresuar të merrnin një leje qëndrimi me pasaportat e tyre false. Në vend të kësaj, ata përfunduan në një qeli në bazën e sigurisë Biberbrugg.
Prokuroria publike e Schwyz-it e dënoi kosovarin me precedentë penalë për hyrje të paligjshme, qëndrim të paautorizuar dhe punë pa leje, përcjell albinfo.ch.
Ai u dënua me një gjobë pa kushte prej 6800 frangash. Ndërsa shtetasi i Serbisë, për të njëjtat shkelje ka marrë një gjobë prej 2640 frangash.