Kanë mbetur vetëm tre javë! Sigurohuni që jeni të informuar dhe të përgatitur për këtë mundësi të re udhëtimi.
Duke filluar nga 1 janari 2024, me pasaportë të Kosovës, mund të udhëtohet pa viza për qëndrime afatshkurtra nëpër zonën Shengen. Kjo përfshin vizita turistike dhe vizita te miqtë apo familjarët.
“Ju lejohet të qëndroni deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”, njofton faqja Integrimi Evropian i Kosovës, që ka për qëllim ofrimin e informatave për rrugën e Kosovës drejt Integrimit Evropian.
Për të udhëtuar pa viza, ju duhet: Pasaportë Biometrike, informacione apo dëshmi mbi arsyen e udhëtimit, rezervimi i hotelit apo informacione të vendqëndrimit, biletë kthyese.
Dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare (para cash dhe/ose kartelë krediti).
Rregullat dhe Kufizimet:
Nuk ju lejohet të punoni apo të ndiqni shkollimin/studimet.
Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja serioze, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vite.