Mungojnë deputetët e VV-së, s’konstituohet Komisioni Hetimor për rezervat – Opozita: Kanë frikë, po fshehin diçka
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e ftuar për konstituimin e Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Kjo e ka bërë të pamundur që të mbahet mbledhja e këtij Komisioni ngase në sallë ishin vetëm deputetët e opozitës.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Rashiti Qalaj, tha se edhe përkundër që pritën më shumë se 15 minuta asnjë nga deputetët e VV-së, nuk është paraqitur në mbledhje, teksa për këtë ai ka kërkuar që mbledhja të mbahet sërish.
“Mungojnë deputetët nga VV-ja dhe nuk kemi mundësi që të bëjmë konstituimin për shkak të kuorumit, mendoj që kemi pritur mjaftë, nuk mund të pritet mbi 15 minuta apo 20 minuta”.
“E kam takuar deputetin Armend Muja, më tha se jam duke shkuar në Komision për Buxhet e më tha se do të lajmërohem, më pas nuk është lajmëruar fare. Nëse nuk formohet në ora 15:00 do të kemi takim nesër, pasnesër”, tha ai.
Ndërsa, zëvendëskryesuesja Valentina Bunjaku, tha se deputetët e VV-së nuk kanë ardhur në mbledhje ngase po i frikësohen të vërtetës.
“Komisioni të ftohet sot në ora 15:00, që mos me pas arsyeje më thënë që nuk jemi në Kuvend. Po dihet që me tendencë nuk kanë ardhur se po frikësohen prej të vërtetës”, tha Bunjaku.
Kurse, Pal Lekaj nga AAK-ja tha se mos prezenca e pozitës është sinjal se në këtë rast po fshihet diçka, dhe se po kanë frikë nga një hetim për rezervat shtetërore.
“Nuk ka përgjegjshmëri të pozitës edhe pse kanë debatuar në seancë edhe e kanë theksuar që nuk frikohen nga e drejta dhe nga ajo që ka ndodhur mirëpo shihet e kundërta, dhe këtu diçka po fshihet po ikin prej asaj që çdo herë e kanë menduar se do ta luftojnë korrupsionin, e i kanë vjedhur edhe rezervat shtetërore. Unë pajtoj që në ora 15:00 të mblidhmi”.
Kuvendi i Kosovës, pas rreth katër orësh diskutimesh, ka votuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore, me 69 vota për, me 21 shator.
Puna e Komisionit do të jetë lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla./EO