Kosova ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Ballkanik 2023 pa lojë, pasi Serbia nuk u shfaq fare në fushë.
Refuzimi i ekipit serb për t’u përballur me Kosovën bëri që ekipi dardan të fitojë me rezultat zyrtar dhe të kalojë tutje në volejbollin në rërë në Turqi.
Lajmi u bë i ditur nga Federata e Volejbollit e Kosovës në rrjetet sociale.
“Kosova është në mesin e tetë Kombëtareve më të mira të Kampionatit Ballkanik të volejbollit në rërë, i cili po zhvillohet në Balikesir të Turqisë, pasi fitoi pikë në tavolinë kundër Serbisë”, thuhet në njoftim.
Ekipi kombëtar i Kosovës në volejbollin në rërë përbëhet nga Erion Bajrami dhe Ermal Maliqi, nën udhëheqjen e trajnerit Fatlum Hajrizi.
Kosova i ka fituar dy ndeshje dhe e ka humbur një deri tani në këtë garë, si dhe lojën e fituar me rezultat zyrtar si pasojë e mosparaqitjes së Serbisë në fushë.
Në çerekfinale Kosova do të përballet me Moldavinë sot më vonë.