Sot në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar mbi raportin e DASH-it për Kosovën.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është përplasur me deputetin e VV-së, Halil Thaçi.
Derisa Gashi thoshte se Kurti ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, deputeti Thaçi e pyeste se “a është ky kryeprokurori që nuk po i ngrit aktakuzë Radojçiqit”.
“Kur flasim për presionin dhe ndërhyrjet e politikës, me automatizëm shkon mendja te ndërhyrja e kryeministrit nga kjo foltore ndaj një institucioni të pavarur siç është prokuroria e Shtetit, ku kryeministri deklarohet se ‘pa pëlqimin tim, presidentes dhe kryetarit të kuvendit filan fisteku nuk do të jetë kurrë kryeprokuror’. Kjo është ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë”, tha ai.
Pas ndërhyrjes së Thaçit, Gashi tha se “ka durime me dëgju edhe të paaftë mendorë”.
“Pse ky kryeministër kapet me kryeprokurorin e shtetit, sepse… Vazhdo bërtit se unë kam durim me dëgju edhe të paaftë mendorë si puna jote… sepse i drejtohet luftës së korrupsionit dhe ky korrupsion i kryeministrit është galopant.”
“Po e mbroni Radojiçiqin”, tha deputeti i VV-së.
Më pas deputeti i VV’së, Halil Thaçi, tha se po bëhen 222 ditë që nga sulmi në Banjskë dhe që nuk është ngritur aktakuzë ndaj Radojçiqit.
“Duhet Blerim Isufaj, kryeprokuror i shtetit të dalë publikisht të deklarojë për Millan Radojçiqit. Po e shohim që edhe deputetët e opozitës po mundohen ta pengojnë fjalimin tim këtu sepse po ju pengon dhe po frikësohen se po arrestohet Radojçiqi. Radojiçiqi do të arrestohet”, tha Thaçi.
Pas tij, fjalën e mori Arben Gashi, i cili i tha Thaçit se Isufaj nuk është kryeprokuror i Prokurorisë së Shtetit.
“E vërteta është që personi në fjalë nuk është kryeprokuror i shtetit, Prokuroria e Shtetit e ka një ushtrues të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, është dikush tjetër kryeprokuror.”
Më pas, Gashi tha për Kusari Lilën që ka komunikuar me Radojçiqin.
“Unë se njoh, për mua është kriminel që duhet të jetë në burg”, tha Gashi.
Thaçi tha se Blerim Isufaj është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.