Kalimi te Juventusi, Albin Kurti videotelefonatë me Edon Zhegrovën: Krenarë për ty

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar futbollistin Edon Zhegrova pas transferimit të tij te klubi italian Juventus.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë edhe disa foto nga një videotelefonatë që pati me futbollistin dardan, tashmë pjesë e “Zonjës së Vjetër”.

“Edon Zhegrova, lojtari më i ri i ‘Zonjës së Vjetër’, që ëndrrën e tij e bëri realitet, tash është ëndrra e shumë të rinjve që e duan futbollin siç e do Edoni”, shkruan Kurti.

Kryeministri shton se për Edonin, përfaqësimi i vendit dhe i popullit në futbollin ndërkombëtar është nder dhe krenari, ndërsa i gjithë populli i Kosovës është po aq krenar për të.

“Me Hajrën sot e uruam dhe përgëzuam për këtë arritje të tij të jashtëzakonshme dhe i uruam shëndet, fat e shumë suksese”, përfundon Kurti në postimin e tij.