Ju premtonte investime dhe ju thoshte se do t’i ketë në zemër, nëntë ditë pas grevës Kurti s’merret me minatorët

Tash e nëntë ditë minatorët e Trepçës së Stantërgut janë në grevë dhe gjendja e tyre nuk raportohet e qëndrueshme.

Por, pavarësisht kësaj, i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, s’e ka marrë mundin t’i takojë minatorët si dikur dhe të ju premtojë se do të merret me kërkesat e tyre – ashtu së paku siç ishte zotuar tri vjet më parë – për investime dhe kushte më të mira të punës për ta.

Kryeministri Albin Kurti në vitin 2020 kishte shkruar në minierën e Trepçës në Stantërg për të shënuar 31 vjetorin e grevës së minatorëve.

Nga atje Kurti ju premtonte investime dhe kushte më të mira minatorëvë që më 1989 kishin grevuar për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

Më 20 shkurt të atij viti rreth 1.300 minatorë ishin ngujuar thellë nën tokë për 8 ditë rresht në horizontet e 8-a dhe 9-a.

“Është gëzim e nder të jem me ju sot në shënim të një ngjarjeje aq të rëndësishme për Trepçën, për Mitrovicën, për Kosovën, e madje edhe më gjerë se kaq, një ngjarje që vulosi një epokë dhe sot ndodhet në kujtesën tonë kolektive”, thoshte Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ajo që u shfaq në ato 8 ditë grevë të vitit 1989 nuk ishte vetëm guximi i minatorëve për të mos u nënshtruar ndaj një sistemi të padrejtë, por edhe njohuria e thellë politike që minatorët kishin për gjithë situatën në ish Jugosllavi e sidomos për të drejtat e popullit shqiptar”, vazhdonte Kurti fjalimin, duke thënë se “31 vjet më vonë shumë gjëra kanë ndryshuar në botë por shumë pak këtu në Trepçë”.

“Punishtet kanë mbetur ashtu si ishin, pa investime e pa mirëmbajtjen e duhur. Prodhimtaria është e mangët e minatorët janë rralluar e moshuar”.

Ai premtonte qe Qeveria e tij do të kujdesej për pasuritë publike.

“Trepça është thesar publik të cilin ne duam ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin e saj”.

“Trepça ka nevojë për investime të jashtme e për qasje në tregje të huaja. Do të fillojmë me një plan të fizibilitetit për Trepçën për rritjen e prodhimit duke u mbështetur në alternativën më të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale e mjedisore”.

“Trepça është edhe krenari edhe shans për Kosovën, kurse minatorët, populli e Qeveria do t’i kenë gjithmonë në zemër”, deklaronte Kurti para minatorëve

Por, sot 3 vjet nga kjo vizitë në Trepçë – gjendja atje nuk ka ndryshuar – siç premtonte kryeministri Albin Kurti.

Madje për shkak të kushteve jo të mira, dhe pagave jo të rregullta, tash e nëntë ditë minatorët e Trepçës së Stantërgut janë në grevë dhe gjendja e tyre nuk raportohet e qëndrueshme.

Por, pavarësisht kësaj – i pari i ekzekutivit s’e ka marrë mundin t’i takojë minatorët si dikur dhe të ju premtojë se do të merret me kërkesat e tyre – ashtu së paku siç ishte zotuar tri vjet më parë për investime dhe kushte më të mira të punës për ta.

Se kërkesat e minstorëve nuk janë plotësuar e ka konfirmuar Ibrahim Januzi, kryesindikalist i minatorëve të Trepçës.

“Në fund patëm një takim ku nuk morëm asgjë”, tha ai këtë mëngjes.

Ai tha se nuk arritën të marrin vendimin për realizimin e kërkesave, pavarësisht se fillimisht u pajtuan që ato të realizoheshin nga Qeveria e Albin Kurtit.

“Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi arritëm me deputetët e pozites marrveshje që të realizohen kërkesat e minatorëve”, tha Januzi, i cili zbuloi se pavarësisht bisedimeve në fund nuk morën atë që dëshën.

Kështu tha kryesindikalisti Januzi pas takimit që është mbajtur mbrëmë në zyrat e Sindikatës me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e që ishin Armend Muja, Arjeta Fejza, Halil Thaçi, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë.

Ky takim erdhi pas atij që gjatë ditës patën sindikalistët e minatorëve me deputetët të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të Ministrisë.

Minatorët e Mitrovicës tash e nëntë ditë janë në grevë dhe po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, paga të rregullta, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.

Kryesindikalisti Januzi konfimron se “greva do të vazhdojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave”.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Nga minierat e Trepçës atë kohë janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Me rreth 20.000 punëtorë, është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Sot i ka rreth 700 minatorë.

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça, sot punojnë në kushte të rrezikshme për punë. Krahas shumë problemeve dhe mungesës së sigurisë, makineritë e vjetra mbi 50 vjet janë shqetësim i madh.

Produktet kryesore, të cilat i prodhon Trepça janë: koncentrati i plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve tjera.