Ngjarjet në mbarë botën e dinamikat gjeopolitike janë çështje që kryeministri i Kosovës i diskuton me shumë qejf. Kështu, Albin Kurtit i pëlqen të takohet e të flasë me njerëz të këtij rangu intelektual, njerëz që kanë fituar edhe Nobel. Edhe ai vetë mund të nominohej për këtë çmim prestigjioz, sipas profesorit Edward Joseph, nëse muajin e kaluar do ta bënte një lëvizje të rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës i është gëzuar së tepërmi një takimi që e pati të hënën në Stamboll me shkrimtarin Orhan Pamuk. Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, u tha se e ftoi Albin Kurtin për darkë dhe këtë shefi i qeverisë kosovare tha se nuk po e besonte.
Për nobelistin, Kurti tha se ishte shumë i interesuar për Kosovën dhe shqiptarët dhe se kjo e nderoi dhe e kënaqi aq sa nuk mund ta përshkruante.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkroi kryeministri në Facebook.