Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç, tha se edhe pas vizitës së emisarëve euro-amerikanë në Prishtinë e Beograd, nuk pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Së pari nuk kam asnjë pritshmëri nga Kurti, pavarësisht se çfarë mund t’i ketë thënë apo premtuar në takim emisarëve. Edhe presidenti i Francës tha se ka pasur premtime të bëra më parë, të cilat nuk janë realizuar. Prandaj, nuk pres që të ndryshojë asgjë”, tha Jevtiç për mediumin serb në Kosovë, Kosovo Online.
Megjithatë, ai pret që “pesëshja e madhe” të kuptojë së paku se shmangia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë do të thotë se dikush jo vetëm që nuk dëshiron paqe dhe stabilitet, por dëshiron “të ndezë konfliktin dhe të përshkallëzojë situatën në terren”.
“Pesëshja më në fund duhet të krijojë mekanizma që do të mundësojnë themelimin e Asociacionit. Unë personalisht së bashku me kolegët e mi në fillim të vitit dëgjuam nga Lajçak dhe Escobar se Asociacioni do të formohet si parakusht për zgjidhjen e çështjeve të tjera”, shtoi ai.
Jevtiç potencon po ashtu se pret që bashkësia ndërkombëtare të bëjë diçka për të përmbushur pjesën e tyre të obligimeve, “sepse ata ishin garantues”.
Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të shtunën.
Ata kanë prezantuar edhe një plan për të ecur përpara drejt normalizimit, por detajet e të cilit nuk janë shpalosur.