Java e Presidentit: 7 ditë kohë për emrin që duhet t’i bëjë bashkë 80 deputetë

Saktësisht një javë para skadimit të afatit kushtetues, mbetet e paqartë nëse Kuvendi do të arrijë të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës së Kosovës. Tri partitë kryesore të legjislaturës së dhjetë nuk kanë arritur asnjë dakordim mbi një emër konkret që do të siguronte mbështetjen e të paktën 80 deputetëve.

Afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit është 4 mars, detyrim që rrjedh nga Neni 86, Paragrafi 2 i Kushtetutës, i cili kërkon që zgjedhja e kreut të shtetit të realizohet jo më vonë se tridhjetë ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual.

Nëse kjo nuk ndodh, pasojat janë automatike: sipas Nenit 86, Paragrafi 6, dështimi për të zgjedhur President në raundin e tretë të votimit sjell shpërndarjen e Kuvendit. Po kështu, moszgjedhja brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nga fillimi i procedurës prodhon të njëjtin efekt, sipas Nenit 82, Paragrafit 1, Pikës 3.

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur takime me krerët e partive dy partive më të mëdha opozitare për, siç pretendon ai, gjetjen e një zgjidhjeje për postin e Presidentit dhe sigurimi i votave të nevojshme parlamentare.

Pas këtyre takimeve, para mediave Kurti foli në fillim të javës për ato që ai i sheh si dy skenarë të mundshëm.

“Ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë duke përzgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti më së largu më 4 mars, ose është tjetra, që subjektet politike merren vesh me njëra tjetrën për rrugën përpara”, tha Kurti.

Nga PDK dhe LDK, të dy liderët thanë se takimi me Kurtin ishte i natyrës parimore dhe pa emra konkretë në tryezë.

Gjatë një interviste në “Debat Plus”, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij nuk po kërkon favore politike në këmbim të votës.

“I jam përgjigjur ftesës së Kurtit dhe kam thënë që PDK gjithmonë ka vepruar në atë mënyrë që nuk kam vendosur vija të kuqe. Unë dje nuk kam shkuar të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht apo të bëjmë ndonjë pazar politik. Në takim nuk ka pasur prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmendur. Kemi diskutuar për parime, rregulla”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.

Një qëndrim të ngjashëm ndau edhe kreu i LDK-së, duke deklaruar se fokusi ishte tek arkitektura e një zgjidhjeje institucionale.

“Nuk përmendëm emrat, folëm për parime, folëm për shtyllat potenciale të zgjidhjes së çështjes jetike të zgjedhjes së Presidentit dhe shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Ndërsa krerët e tri partive nuk u lëshuan në shumë detaje, Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Kojufca, tha se “Ka konsensus (pajtim të përgjithshëm) që për president të vjen dikush nga familja e nderuar Jashari.”

Megjithatë, pas deklaratës së Kojufcës, Jashari publikisht mohoi çdo ambicie për postin e Presidentit. Në një prononcim për Vox Kosova, ai bëri dallimin midis emrit të tij personal dhe pesës simbolike që mbart mbiemri Jashari:

“Në momente të caktume do ta jap një prononcim. Më shumë se gjithçka si Murat, është emri i Familjes Jashari. Është barrë e madhe mbi supe, dhe unë nuk e kam të drejtën as morale as profesionale emrin e familjes Jashari për poste publike. Unë kam detyrë…prandaj edhe skam dal mu prononcu. Emri i im sa i përket kësaj çështje vjen në vazhdimësi, është përmend saherë që ka ardh në pikëpyetje presidenti. E kam sqaru që s’kam ambicie politike. Familja Jashari ju takon të gjithë shqiptarëve…në mes të qenurit në pozita publike dhe profesionit që kam, unë zgjedh këtë që kam…runa zot naj lufte civile apo rreziku të madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë, atëherë kush jam une mos me sakrifiku për këtë vend. Ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, tha ai.

Ndërkohë, nga AAK, Ardian Gjini e pa gjithë këtë situatë me sy të ftohtë dhe e quajti “cinizëm”.

Në leximin e Gjinit, gjatë një interviste në emisionin “Context” ATV”, mënyra sesi Lëvizja Vetëvendosje po e menaxhon çështjen e Presidentes nuk pasqyron vullnet të sinqertë për zgjidhje, por strategji elektorale të llogaritur me kujdes.

“Te çështja e Presidentit situata është goxha interesante. Mund të them që ka shumë cinizëm. Është seriozisht cinike me i fitu 51 për qind të votave, me shku në Parlament dhe me thënë ‘unë s’kam kandidat për President – gjejeni kandidatin nëse doni ju'”. – tha ai,

Gjini foli më tej për atë që ai e quajti “çarje” mes Kryeministrit Albin Kurtit dhe Presidentes aktuale Vjosa Osmani, duke thënë se rikandidatura e saj është skenar i vdekur politikisht.

“Gjasat janë minimale që zoti Kurti ka me kandidu Vjosa Osmanin edhe njëherë për Presidente. Tash po thuaj se këto gjasa nuk ekzistojnë. Çarja ka ndodh për shkak se çdokush ndihet i fyer në këto rrethana.

Nëse Albin Kurti del në konferencë për shtyp dhe thotë se ne nuk kemi kandidat për President, normalisht që Vjosa Osmani ndihet e fyer deri diku për shkak se nisjen e kanë pasur bashkë dhe shumicën e parë e kanë kriju bashkë.” – tha ai.