Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pasi është përmendur një kalim i mundshëm i tij në Partinë Demokratike të Kosovës, pas zhvillimeve dhe ngjarjeve që po ndodhin në kohën e Qeverisë Kurti.
I pyetur se a ka ndonjë iniciativë për t’iu bashkuar ish-partisë në të cilën dikur ishte pjesë e saj, Limaj tha se është i gatshëm të bëhet bashkë me ta e të tjerët për ta kundërshtuar kryeministrin Kurti.
Ish-ministri Limaj, që vite më parë kishte pozita kyçe brenda PDK-së, tha se duhet të bashkohen forcat politike, duke përfshirë këtu edhe partitë tjera parlamentare, përveç PDK-së.
“Unë jam i gatshëm me u bo bashkë me gjithë ata, me PDK-në, e përtej PDK-së. Me gjithë ata burra e gra që janë të shqetësuar me situatën e krijuar në vend. E kemi borxh dhe obligim. Më shumë se kurrë kemi një bashkëpunim të madh, e aq më tepër ata që mnendojnë me u konë kryeministria. Sepse Albini është kryeministër, sistemet parlamentare kanë kryeministrin dhe atë në ardhje”, tha ai në ATV, të mërkurën mbrëma.
Po ashtu, ai pati edhe një kusht për partitë politike, që ta krijojnë një opozitë me “një koncept të qartë” dhe për “ta ndalu dëmin” e Qeverisë Kurti.
“Nëse s’e ka një alternativë, pse me ndërru, kështu që në emër të kësaj, përgjegjësia jetike e historike është për një bashkim. Po jam i gatshëm me u bashku forcat politike, individët, edhe me PDK, përtej PDK-së. Me kriju një opozitë, ama me një koncept të qartë. Për me ndalë dëmin po dhe çka po ofrojmë. Në këtë drejtim jam i hapur”, shtoi ai.
“Edhe opozitën kam qejf me pa të bashkuar”, vijoi Limaj.