Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 21 dhjetor 2023 ka nxjerrë vendim për degradimin e përhershëm të gjyqtarit Luan Berisha në Gjykatën Themelore në Prizren nga Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal në Divizionin për Kundërvajtje të të njëjtës gjykatë.
Në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se degradimi i gjykatësit Berisha ka ardhur si pasojë e parashkrimit të 152 lëndëve gjyqësore dhe janë 214 lëndë që për shkak të periudhës së gjatë të kaluar pa ndërmarrë asnjë veprim pritet që të nxjerrën vendime për parashkrim.
Sipas vlerësimit të autoritetit gjatë punës së tij si gjyqtar nuk ka mundur ta organizojë dhe menaxhojë punën e tij rreth caktimit dhe organizimit të detyrave të punës, ashtu që bazuar edhe në raportet e paraqitura nga vet subjekti i hetimit janë parashkruar një numër i konsiderueshëm i lëndëve penale.
Në bazë të verifikimit të Autoritetit kompetent, në vitin 2013 i janë parashkruar 30 lëndë me parashkrim relativ(absolut), në vitin 2014 i janë parashkruar 19 lëndë, në vitin 2015 i janë parashkruar 38 lëndë, nga këto 30 lëndë me parashkrim relativ dhe 8 me parashkrim absolut, në vitin 2016 i janë parashkruar 65 lëndë, prej tyre 50 lëndë me parashkrim absolut dhe 15 lëndë me parashkrim relativ dhe pa asnjë vendim të ndërmarrë.
“Nga kjo gjendje në total prej katër viteve 2013, 2014, 2015, 2016 subjektit të hetimit i janë parashkruar 152 lëndë gjyqësore dhe janë 214 lëndë që për shkak të periudhës së gjatë të kaluar pa ndërmarrë asnjë veprim pritet që të nxjerrën vendime për parashkrim”, thuhet në vendimin e KGJK-së.
KGJK për shkeljen e theksuar i ka shqiptuar sanksionin disiplinor zvogëlim i përkohshëm i pagës për 20% për periudhën kohore prej një viti, dhe transferim i përhershëm nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal i Gjykatës Themelore në Prizren, në Divizionin për Kundërvajtje i të njëjtës gjykatë.
Subjekti i hetimit i pakënaqur me vendimin e KGJK-së ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme ndërsa Gjykata Supreme me aktvendim e ka pranuar si të themeltë ankesën e subjektit të hetimit, e ka prishur vendimin e KGJK-së dhe e ka kthyer në rishqyrtim çështjen.
KGJK, pas pranimit të vendimit të Gjykatës Supreme ka kërkuar plotësimin e raportit të panelit të hetimit për çështjet që ka rekomanduar Gjykata Supreme, ndërsa paneli hetimit më 14 dhjetor 2023 e ka plotësuar raportin duke ia dorëzuar të njëjtin KGJK-së.
Në këtë rast, KGJK konstaton se duke vepruar edhe në përputhje me rekomandimin e Gjykatës Supeme rezulton se nga totali i 152 lëndë të parashkruara, 121 janë parashkruar në 5 vitet e fundit, mirëpo pavarësisht kësaj gjyqtari mban përgjegjësi për të gjitha lëndët e parashkruara për shkak se të njëjtat i ka mbajtur në zyre edhe pas datës së parashkrimit pa ndërmarrë vendimin mbi parashkrimin.
“Në këtë rast KGJK ka konstatuar se gjyqtari ka dështuar të administrojë zyrën dhe rrjedhimisht të përshtat angazhimin e tij varësisht nga vëllimi i ngarkesës dhe prioriteti brenda zyrës”, thuhet tutje në vendimin e KGJK-së.