Isufaj thumbon Kurtin: Kurrkush s’na tregon se kur duhet të ngrisim aktakuzë apo të pushojmë hetimet

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, sot ka refuzuar t’i përgjigjet kritikave të kryeministrit Albin Kurti se s’po ngritën aktakuza për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.

Në konferencën e fundvitit, Isufajt iu kërkua t’iu përgjigjet deklaratave të kryeministrit, por ai tha se s’mund t’i tregojë askush se kur duhet të ngritën aktakuza e kur duhet pushuar hetimet.

“As që dua të komentoj sepse s’është çështje e tij [kryeministrit Kurti] ngritja e aktakuzave, është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet, kur kemi prova dhe nuk mund të na tregoj kurrkush se kur ne duhet të ngrisim aktakuzë ose kur duhet të pushojmë hetime. Ne i përgjigjemi secilit me punën tonë, me atë që e prezantuam këtu sot”, tha Isufaj.

Para disa ditëve, Kurti tha se do që ta ndihmojë Prokurorinë Speciale, por se s’ndihmohen ata që s’duan të punojnë.

Për pyetjen se pse ende s’janë bërë publike hetimet e sulmit terrorist të 24 shatorit në Banjskë, Kurti ishte përgjigjur se pyetja është për Prokurorinë Speciale.

Ai tha se çdo informacion që Qeveria ka pasë ia ka përcjellë Prokurorisë së Shtetit dhe thotë se ka shpërputhje mes posedimit të informacionit dhe njerëzve që do të duhej të ishin prapa grilave.

“Nuk ka informacion të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, nuk ka që nuk i është dhënë Prokurorisë së Shtetit. Sot janë bërë 3 muaj prej se është kumtuar urdhri për sulmin terrorist që e vrau heroin Afrim Bunjaku. 3 muaj kur është kumtuar urdhri dhe ky informacion ndodhet tashmë edhe te prokuroria. Ka pa numër fakte dhe dëshmi materiale që janë më së të mjaftueshme për të ngritur aktakuzat për sulmin në Banjskë. Në përgjithësi, viti i kaluar ishte vit i barrikadave dhe llogoreve paraushtarake. Ky vit ishte vit i sulmeve terroriste dhe paraushtarake. Po ka shpërputhje shumë të madhe mes informacionit, fakteve, dëshmive e argumenteve në njërën anë dhe aktakuzave e proceseve gjyqësore në anën tjetër. Për pasojë edhe të njerëzve që janë prapa grilave. Është numër mino. Dhe ky hendek s’mund të mbushet nga Qeveria e Kosovës, i takon Prokurorisë së Shtetit. Andaj edhe pyetja duhet të jetë Prokurorinë e Shtetit. Unë jam këtu për të ndihmuar, por ata janë aty për të punuar. S’mund ta ndihmoj dikë që s’punon. Mund ta ndihmoj dikë vetëm që punon”, ka deklaruar Kurti më 23 dhjetor. /Express/