Në një intervistë për T7 ka folur një grua e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo në këtë intervistë ka treguar se si ishte dhunuar në Prishtinë nga 16 paramilitarë serbë në sytë e burrit të saj.
“Është shumë e rëndë me folë për këtë temë. Është gjë që nuk harrohet kurrë. Po mundohem mos me e kujtu shpesh. Nuk di diçka që mundet me ndodh ma randë. Ka ndodhë në maj, këtu në Prishtinë ka ndodh. Burrin e kam pas present. Dhe ka qenë shumë më e rëndë se s’ka mujt me më ndihmu. Shumë kanë qenë. Më pak se 24 orë më kanë mbajt, por një shekull e kam përjetue”, ka thënë ajo.
Në këtë rrëfim, ajo thotë se i kujton të gjitha në detaje se si kishte ndodhur ngjarja e tmerrshme dhe shton se një gjë e tillë po t’i bëhej edhe një kukulle do të ishte e tmerrshme se lëre më një njeriu. Gruaja që ka pranuar të flasë thotë se nuk e kishte menduar që do të jetonte dhe se kishte menduar shpesh herë që të gjente një mënyrë për t’i dhënë fund jetës.
“Shumë ka qenë e vështirë. Të gjitha ato i kam në mendje, se çfarë ka ndodh. Se si mi kanë grisë teshat, si kanë bo marrëdhënie të gjithë. Kanë lujt si me një kukull. Ata s’janë qenië njerëzore. Me kukull me lujtë është diçka e tmerrshme, e jo më me shpirt njeriut. S’kisha forcë me e shpëtu veten. S’mendoja më se do të jetoja, e mendoja se si do të vdisja. Nganjëherë them që do të ishte më mirë me vdek, sepse kanë shku 25 vite që I kam qajtë me lotë çdo ditë. E pamundur mos me i kujtue”, është rrëfyer ajo.
Në këtë intervistë ajo thotë se nuk e kishte shijuar as çlirimin e Kosovës, meqë dëshironte vetëm t’i jepte fund jetës së saj. Ajo shton se fëmijët kanë qenë një prej arsyeve se pse kishte vazhduar jetën, meqë s’donte t’i linte vetëm.
“Jo. Nëse them po do të kisha qenë naïve. Kam qenë plotësisht e vdekur. Vetëm e kam pas fokusin se si të ikja nga kjo botë. Dhjetëra herë kam tentu. Kam përdor çdo send. Po ishin fëmitë. Thoja çka do të bëjnë këta si do të rriten. Apet thojsha nasht të shtyjë, deri t’I marrin këmbët”, ka shtuar ajo në rrëfim.
Kjo grua, në rrëfimin e saj thotë se falë Zotit sot ka arritur që ta tejkalojë gjithë gjendjen e rëndë të saj dhe ka inkurajuar edhe gratë e tjera që e kanë pasur një fat të tillë të tmerrshëm, që të gjejnë forcë dhe të mos dorëzohen pavarësisht dhimbjes.
“Falë Zotit sot e kemi tejkalu dhe mesazhi im është për gratë. Sot jemi të forta, nuk dorëzohemi. Pavarësisht se na dhemb shpirti e na qanë zemra, na dridhet trupi, do ta gjejmë forcën”, është shprehur ajo.