Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Serbia përmes Listës Serbe gjithmonë ka sabotuar integrimin e serbëve në Kosovë

Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Grasso, ka reaguar për dorëheqjen e tre serbëve nga pozita që kishin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Ai ka deklaruar se nuk është ndonjë befasi dhe se Serbia nuk i mbështet iniciativat që kanë për qëllim integrimin e serbëve në Kosovë. Madje ai thotë se Beogradi këtë e bën përmes Listës Serbe.

“Nuk është befasi! Beogradi, përmes Listës Serbe, gjithmonë e ka sabotuar çdo iniciativë që çon në integrimin e serbëve për zhvillimin e shoqërisë paqësore shumëkombëshe në Kosovë. Ata e kanë bërë këtë gjithmonë dhe ne e kemi toleruar gjithmonë pa e kundërshtuar fort këtë sjellje”, ka thënë Grasso.

Grasso këtë koment e bëri në postimin e shefit të EULEX-it, Giovanni Barbano, në Twitter, i cili tha se misioni që ai drejton po i ndjek nga afër zhvillimet e fundit me dorëheqjet e serbëve nga Policia e Kosovës, të cilat i quajti shqetësuese./Telegrafi