Ish-reporteri i luftës, Paul Refsdal, ka rrëfyer ekskluzivisht në Klan Kosova se si ka xhiruar pamje gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë me gazetaren Rina Mujku, ai ka thënë se në vitin 1998, e ka kuptuar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin persona të rëndësishëm.
“Epo unë e dija që ai ishte i rëndësishëm, atëherë nuk e kam ditur që ai ka qenë një lloj lideri i UÇK-së. Asokohe, kontakti që kisha ndër udhëheqës, ishte me Lulin, Kadri Veselin. Pastaj ai shkoi në Shqipëri… epo, ishte diku herët, mendoj se ka qenë në fillim të muajit gusht. Mbaja një ditar, shkruaja me dorën e majtë ngaqë të djathtën e kisha të plagosur, prandaj kam disa shënime që kam marrë gjatë atyre ditëve ku i kam edhe datat e sakta, por tani nuk është se më kujtohet saktë”, ka thënë Refsdal.
Tutje, ai ka shtuar se nuk ka mundur ta lëshojë zonën që kontrollohej nga UÇK-ja, pasi që sipas tij, nëse do ta lëshonte atë zonë do të arrestohej nga serbët.
“Po, po, gjatë 98’ës, kam kuptuar se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi ishin ndër liderët, pra e dija se ishin të rëndësishëm, e kam takuar edhe Adem Demaçin, në Likoc. Nuk kam mundur të lëviz në Prishtinë apo gjetkë, sepse nëse e lija zonën që kontrollohej nga UÇK-ja do të arrestohesha nga serbët. Atëherë ata kishin dalë edhe në një konferencë shtypi ku më quanin terrorist ndërkombëtar, kinse qeveria serbe ka hetuar dhe ka zbuluar se isha terrorist, mund ta imagjinoni se do të arrestohesha e do të gjykohesha nëse lëvizja drejt Prishtinës”, ka rrëfyer ish-reporteri.