Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë: Serbët e Kosovës, peng i politikave destabilizuese të Beogradit

Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka folur për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për ecurinë e vendit që nga koha kur ai mbante një rol kyç në administrimin e përkohshëm.

Ai thekson rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në këtë proces. “Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, thotë ai.

I pyetur se a beson se do të arrihet ndonjë marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë këtë vit, Jessen Pettersen shprehet skeptik.

“Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë, duke pasur parasysh lidershipin aktual politik në Serbi”.

Tutje përmend rëndësinë e integrimit të komuniteteve jo-shumicë dhe ballafaqimin me sfidat që pengojnë progresin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai shprehet se pavarësisht progresit, Kosova ende përballet me sfida që vijnë nga brenda dhe nga jashtë saj.

“Ekziston rreziku që mbingarkesa e bisedimeve dhe grindjet politike të dekurajojnë gjeneratën e re të liderëve të angazhuar në politikë,” shprehet ai, duke shpresuar që kjo mos të ndodhë.

Sa i përket Asociacionit, ai shpreh shqetësimin se mund të krijohen vija të reja etnike brenda Kosovës.

“Kosova duhet të bëjë më shumë për të integruar serbët, të cilët duhet të ndihen si pjesë e vendit, ndërkohë që duhet të kujdeset po ashtu për lëvizjet e vazhdueshme destabilizuese të Beogradit, duke mbajtur shumë serbë në Kosovë peng të politikës së tyre destabilizuese në Kosovë”.