Ismail Syla, dikur këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka komentuar intervistën e këtij të fundit dhënë për gazetën Nacionale.
Syla tha se ish-presidenti dhe ish-kryeministri kosovar përmes kësaj intervistë ka dhënë shumë mesazhe domethënëse.
Ai tutje, ka thënë se Thaçi është një personalitet i cili në supet e veta e ka marrë barrën politike të të gjitha proceseve prej Rambujesë e deri në shpallje të pavarësisë e themelimit të Kosovës.
“Është mëse evidente nota optimiste e presidentit, është thjesht personalitet i cili në supet e veta e ka marrë barrën politike të të gjitha proceseve prej Rambujesë e deri në shpallje të Pavarësisë e themelimit të këtij shteti të ri”, ka thënë Syla në RTV Dukagjini.
Ish-këshilltari i ish-presidentit ka thënë se Thaçi ishte arrestuar në mënyrë brutale nga Gjykata Speciale.
“Kjo tregon se ky njeri që është marrë në mënyrë brutale nga detyra e presidentit nuk ka hezituar ti dorëzohej drejtësisë ndërkombëtare, kishte mandat deri më 2020, fakti që është dorëzuar para kohës, është dëshmi për pafajësinë e tij”, ka vijuar ai.