Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli thotë se duhet arrestuar deputetja Duda Balje, pas takimit të mbajtur me kryetarin e BIK-ut ku u trajtua projektligji për fertilizimin e asistuar.
Tërmkolli në një shkrim thotë se kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës, raporton Paparaci.
“Duda Balje si kryetare e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të drejtat e njeriut dhe anëtarë tjerë të komisionit paskan mbajtë dje takim me kryetarin e BIK-ut, Naim Tërnavën për të trajtuar projektligje të Kuvendit. Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës. Sot, këta deputetë do të duhej të arrestoheshin dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë! A ka shtet këtu a çka dreqin po ndodhë me këtë vend?!”, thekson ajo.
Tërnava në bashkëbisedim me Baljen, njëherit kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ka shprehur shqetësim sa i përket këtij ligji, dhe ka thënë se me këtë ligj do të cenohet e drejta e familjes tradicionale.