Institucionet janë si fortesat

Ben Andoni

Prej ditësh Shqipëria ësh të kapluar në një mori lajmesh, ku nuk dihet a po sfumohet problemi i mbetjeve toksike. Sikur të mos ishte bllokuar dikund, asnjëherë nuk do të merrej vesh se çfarë ndodhte dhe sa herë kishte ndodhur, një transport i tillë ngarkese. Saga e lajmeve bën fajtore autoritetet e qeverisë, që nuk janë transparente, këto të fundit një firmë private, që i dha si pasojë dërrmën qindra punëtorëve me një të shkruar të lapsit. Ende në media jepen referime, që shumë individë të cilët gjenden pas hekurave përfitojnë nga firmat e krijuara, kur ishin në liri. Rasti i kompanisë së ashtuquajtur “5D” dhe pak të tjerëve të trandin, kur merr vesh realisht dhe e merr të mirëqenë lajmin mediatik. Për pronat është një histori mbi historitë e tjera, ku edhe filmi absurd nuk i del dot për zot tematikës surrealiste dhe atë që ka prodhuar institucioni i kadastrës tek ne. Në Tiranë nuk ndalen pohimet e lejeve për kulla, por kur media gërvisht pak më thellë gjen se ka shumë fije që lidh individë të maxhorancës me opozitën.

Këta të fundit bërtasin dhe lëshojnë litarë pafund ofendimesh për turililloj njerëzish, aman ngecin në momentin ku duhet për protagonistët e lejeve. Ndaj, ndodh që jo në pak raste, një pjesë e folësve patetikë të opozitës, heshtin ose meken kur u duhet të përmendin emra të tillë biznesmenësh. Shoqëria jonë e pas viteve ‘90 ka arritur në një shkallë degradimi të tillë, saqë tashmë e sheh të hapur dekadencën e saj. Jo thjesht me krimin pa ndëshkim të pronave, por me njerëz që e sfidojnë hapur ligjin duke përfituar, me faktin që riciklohen deri të dënuar, apo po harrohen shpejt njerëz që kanë bërë dëme, ndërsa ka ardhur koha që jo pak herë lirohen vrasësit, konform ligjit! Këta të fundit mbushin një afat të caktuar burgimi dhe pas cilësimit të organeve për natyrën e penalitetit dhe paçka traumave që u kanë lënë familjeve të tëra dalin ose kërkojnë brenda ligjeve të kohës aktin e daljes. Sforcimi i autoriteteve gjyqësore thjesht e bën qesharake shoqërinë ku jetojmë, por më shumë institucionet tona.

Në fakt, si do që të jetë zhvillimi pozitiv i një shoqërie, vjen momenti dhe për të që të ketë ciklin e rënies së vet. Kështu, u mendua për natyrën e shoqërisë së pas viteve ‘90, që pa bërë katarsisin e duhur, vijoi me mohimin e çdo pozitiviteti të deriatëhershëm. A është ky vetëm një rast shqiptar? Natyra e shoqërisë është e tillë që ka luhatjet e veta. Kryesorja, që lidhet sidomos me shoqëritë e zhvilluara, ka të bëjë me progresin shkencor, ku ajo mund të bjerë, kur nuk arrin të përqafojë trendin normal të tyre. Në të gjitha vendet, ky ciklim vjen si përballje me konceptim për shoqëritë e hapura. Ka vite që njerëzit nuk kanë përballë pyetjen e vështirë se kujt do t’i delegohet vota (pas pak muajsh kjo pyetje do rëndojë në fatin e shumë familjeve dhe dinjitetin e shumë njerëzve) apo nga ana filozofike se: “Kush duhet të drejtojë?” por “Si të mundim t’i organizojmë institucionet politike në mënyrë që t’i ndalojmë qeveritarët negativë a të pazotë të na bëjnë shumë dëm?!”.

Në një shtjellë të gjatë tek eseja e tij “Mjerimi i historicizmit”, Karl Popper dyshon se mund të kemi modelin e autoritetit të duhur politik epëror ai që na duhet apo që mund të shërbejë si recetë në të gjitha rastet për të ndihur zhvillime normale. Fakti është se ata që zgjidhen me shumicë votash pas njëfarë kohësh përballë çështjes së kontrollit, na dëshmojnë se janë të paprekshëm ose më saktë modifikohen të tillë, që të mos kontrollohen, por të kontrollojnë! Sot e kësaj dite, qeveria Rama nuk jep përgjigje për çështjen e IPARD, ku ishministrja e akuzuar e Bujqësisë, Frida Krifca, e ka justifikuar se nuk ka lidhje fare me problematikën që ka përcjellë BE-ja! Akoma Shqipëria nuk ka lajm për fajtorët e vërtetë të çështjes së 21 Janarit, ku humbën jetën 4 njerëz, ashtu si nuk përfundon prej vitesh që s’ka fund rasti “Gërdeci”. Nuk mjaftojnë faqet për të përshkruar korrupsionin e institucioneve tona, por më shumë pamundësinë, që publiku ka në rastin e kontrollit ndaj tyre. Vetë Legjislativi nuk e kontrollon dot Ekzekutivin e Ramës, ashtu si ndodhte me paraardhësin e tij Berisha. Edhe institucionet më të mira nuk janë kurrë të sigurta, do të shprehej Popper, që na jep pastaj metaforën e fortesës, kur flitet për institucionet: “Institucionet janë si fortesat. Ato duhet të mendohen mirë dhe të pajisen mirë me njerëz”.

Në fakt, filozofi i njohur e shtyn shtjellën e argumentit të tij se njerëzit e duhur do t’i ngashënjejë kërkimi shkencor, udha ku besohet se mund të bëj ndryshimin… në shoqëritë e përparuara. Ai na argumenton për fatin e kulluar, sepse e vërteta nuk shfaqet, atë arrijnë dhe e shikojnë njerëzit që duan ta shikojnë. Por, a është rasti i vendit tonë? Në fakt, tema është shumë filozofike përballë shumë monstrave që drejtuan institucione të ndryshme të vendit dhe tani gjenden pas hekurave, ashtu si të tjerë që vazhdojnë e mashtrojnë sy për sy. Faktori njerëzor është vetjak do të mbetet elementi më racional në më shumë ose në të gjitha teoritë institucionale shoqërore, citojnë Popper-in, profesorin e mendimit.

I rikthehemi konceptit të shoqërisë së hapur, pikërisht asaj, që mëtohet më shumë dhe na ndih të zgjerojmë hapësirat e lirisë individuale dhe madje krijon mundësi për një debat të frytshëm, në të cilin s’ka vend për pikëpamje të privilegjuara e ku dialogu pranohet e ushtrohet si i vetmi mjet legjitim i integrimit në sferën publike. Por a mundemi ta bëjmë dot këtë në shoqërinë tonë?! Duket se është e pamundur, por më shumë se kaq, gjendemi në një moment, kur kemi humbur instrumentet sesi mund të funksionojnë si duhet dhe të kontrollohen institucionet e ngritura dhe mbajnë apelativin e madh demokratike. Duke iu kthyer metaforës së Popper, kujtojmë se në letërsinë tonë, një nga romanet më domethënës metaforik të Kadaresë lidhet me “Kështjellën” mënyrën sesi u përshtatën njerëzit për mbijetesën e saj. Paralelizmi të kujton se institucionet janë si fortesat, duhet të kenë njerëzit e duhur, ata që ndijnë dhe mbrojnë zhvillimin e një vendi, përballë sfidave kaq të paparashikueshme të ditëve tona. (Homo Albanicus) Gazeta Panorama